Kompany, i pakënaqur pas barazimit: Mund ta kishim mbyllur ndeshjen me disa gola më shumë
Bayerni kontrolloi lojën, dominoi në posedim dhe krijoi një numër të madh rastesh ndaj Mainz-it, skuadra e fundit në renditjen e Bundesligës, por në fund u detyrua të kënaqej me një barazim 2-2. Një rezultat që u kushtoi bavarezëve humbjen e dy pikëve të vlefshme, për herë të dytë gjatë këtij sezoni.
Pas ndeshjes, trajneri Vincent Kompany u shfaq dukshëm i zhgënjyer, duke vënë theksin te mungesa e konkretizimit para portës kundërshtare. “Është zhgënjyese, pavarësisht se kush është kundërshtari apo ku luhet ndeshja. Bayern gjithmonë kërkon të fitojë dhe dje nuk arriti ta bënte këtë”, u shpreh tekniku belg.
Kompany pranoi gjithashtu meritat e Mainz-it, që shfrytëzoi maksimalisht mundësitë e pakta që pati: “Ata bëjnë një punë shumë të mirë me momentet që krijojnë. Ne, nga ana jonë, nuk arrijmë ta bëjmë diferencën me rastet e pastra që zakonisht i shfrytëzojmë në gola. Këto janë ndeshje që ndonjëherë përfundojnë me rezultate të tilla.”
Trajneri i Bayern-it theksoi se, pavarësisht rezultatit, paraqitja nuk ishte negative: “Do të ishte shqetësuese nëse nuk do të kishim krijuar raste apo nëse do t’u kishim dhënë kundërshtarëve shumë hapësira. Por nuk ndodhi kështu. Shënuam dy gola, por fatkeqësisht pësojmë po aq.”
Në përfundim, Kompany ishte i qartë: “Ky barazim është një rezultat i shkëlqyer për kundërshtarin, por jo për ne. Të jemi realistë, në një ditë tjetër kjo ndeshje mund të mbyllet me tre ose katër gola më shumë për Bayern-in.”