Cesari: Dy golat e Milanit duhej të anuloheshin, penalltia e kërkuar nga Sassuolo...

Barazimi 2-2 mes Milanit dhe Sassuolos në “San Siro” vazhdon të ndezë polemika, veçanërisht për drejtimin e ndeshjes nga arbitri Crezzini. Për episodet më të diskutuara të takimit ka dhënë mendimin e tij edhe Graziano Cesari, ish-arbitër dhe moviolist i njohur i Mediaset.

Sipas Cesari-t, vendimet kryesore të arbitrit kanë qenë të sakta. Episodi i parë vjen në minutën e 58-të, kur Milani shënoi me Pulisic për rezultatin 3-1, pas një goditjeje me kokë të Pavlovic-it. Goli u anulua për një shtyrje të mëparshme të Loftus-Cheek ndaj Candè. VAR-i konfirmoi shpejt vendimin e arbitrit dhe Cesari ishte i qartë: ‘Vendimi në fushë është korrekt, shtyrja ekziston’.

Në minutën e 67-të, kuqezinjtë gjetën sërish rrugën e rrjetës me Rabiot, i cili devijoi topin në portë pas një tjetër goditjeje me kokë të Loftus-Cheek. Edhe ky gol u anulua, këtë herë për pozicion jashtë loje. Edhe në këtë rast, kontrolli i VAR-it konfirmoi vendimin: ‘Është jashtë loje automatike, vendim i drejtë i Crezzini-t’, theksoi Cesari.

Momenti më i kontestuar erdhi në minutën e 92-të, kur Pavlovic ndërhyri ndaj Cheddira-s në zonën e Milanit. Sassuolo kërkoi penallti, por arbitri vendosi të vazhdonte lojën, me VAR-in që nuk ndërhyri. Sipas Cesari-t, bëhet fjalë për një vlerësim të drejtpërdrejtë të arbitrit: “Është interpretim i intensitetit të kontaktit, vendim fushe. Në këto raste, zgjedhja i takon gjyqtarit kryesor”.

Analiza e Cesari-t mbështet linjën e arbitrit dhe të VAR-it, edhe pse polemikat rreth ndeshjes Milan–Sassuolo mbeten ende të hapura.