Real Madridi rikthehet te fitorja në La Liga, zhgënjim për Athletic Bilbaon

Real Madridi është rikthyer te fitorja në La Liga, duke triumfuar 2-1 në transfertë ndaj Alavesit në ndeshjen e vlefshme për javën e 16-të të kampionatit spanjoll. “Los Blancos” nuk e patën të lehtë, por arritën të merrnin tri pikë shumë të rëndësishme falë golave të ‘yjeve’ të tyre.

Skuadra madrilene kaloi në avantazh në minutën e 24-t, kur Kylian Mbappé finalizoi saktë një aksion ofensiv, duke zhbllokuar rezultatin. Megjithatë, vendasit nuk u dorëzuan dhe arritën të barazonin në minutën e 68-të me Vicente, duke e vënë në vështirësi Realin. Kur dukej se ndeshja po shkonte drejt barazimit, Rodrygo u shfaq vendimtar në minutën e 76-të, duke shënuar golin e fitores dhe duke i dhënë fund tensionit për madrilenët.

Ndërkohë, mbrëmje për t’u harruar për Athletic Bilbaon, që u mposht 2-0 në transfertë nga Celta Vigo. Baskët patën mundësinë të riktheheshin në lojë, por humbën një penallti vendimtare. Golat për vendasit u shënuan nga Swedberg dhe El-Abdellaoui, duke vulosur një fitore të pastër për Celtën.

Në ndeshjet e tjera, Sevilla nuk hasi aspak vështirësi, duke shkatërruar 4-0 Real Oviedon, në një paraqitje bindëse që konfirmoi formën e mirë të andaluzianëve.