Fox News godet Ramën, Nesho: Kryeministri i dobët, ka frikë nga institucionet që vetë i ka instrumentalizuar

Një shkrim i medias prestigjioze amerikane Fox News, që vë në dukje heshtjen e Departamentit të Shtetit përballë akuzave për korrupsion ndaj zyrtarëve të lartë të qeverisë Rama, ka ndezur një debat të ri mbi perceptimin ndërkombëtar të situatës politike në Shqipëri.

Në një analizë në Edicionin e Pasdites me moderatorin Bledi Marku në SYRI TV, diplomati Agim Nesho deklaroi se ky artikull dhe vëmendja e shtuar mediatike janë një shenjë e qartë se Shqipëria po shihet si një vend nën një regjim autokratik, ku institucionet shtetërore janë të kapura.

Sipas tij, ky sensibilizim i opinionit publik ndërkombëtar tregon se edhe rastet më flagrante të korrupsionit nuk mund të fshihen më. Nesho argumentoi se presioni i shtuar që kryeministri Edi Rama po ushtron ndaj institucioneve të drejtësisë, përfshirë Gjykatën Kushtetuese, SPAK dhe BKH, nuk është një shenjë force, por dobësie dhe frike.

“Kjo tregon që Rama tashmë është i dobët, Rama tani ka frikë nga vetë institucionet të cilat i ka manipuluar dhe instrumentalizuar,” u shpreh ai, duke shtuar se faktet për korrupsionin janë aq të forta sa nuk mund të fshihen më.

Sipas diplomatit, vëmendja nga media të fuqishme si Fox News, e cila konsiderohet e afërt me presidentin Trump, do të krijojë një perceptim më të qartë të situatës në Shqipëri në të gjitha nivelet vendimmarrëse në Uashington, përfshirë Departamentin e Shtetit dhe Këshillin e Sigurimit Kombëtar.

Ai theksoi se situata aktuale nuk është e papritur, por rezultat i një procesi të gjatë që ka minuar demokracinë, duke përfshirë manipulimin e zgjedhjeve, vjedhjet galopante përmes tenderave dhe parandalimin e rotacionit politik.

Nesho shtoi se ndërsa ndryshimi duhet të vijë nga vetë shqiptarët, ky sensibilizim ndërkombëtar legjitimon çdo përpjekje të popullit për të rikthyer demokracinë.

Nesho preku gjithashtu deklaratat e fundit të kryeministrit Rama, i cili ka pranuar se emri i tij mund të dalë në bisedat e zbardhura të aplikacionit Sky ECC dhe ka ironizuar veprimet e SPAK dhe BKH, duke i quajtur agjentët “trimosha me patllake”. Këto qëndrime sipas Neshos shihen si pjesë e një strategjie presioni ndaj sistemit të drejtësisë në një kohë kur hetimet po prekin nivele të larta të qeverisjes.

Nesho:

Sensibilizimi, sidomos nga mediat në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është plotësisht në informim të opinionit publik që Shqipëria është në një autokraci, në një regjim i cili ka kapur të gjitha institucionet e shtetit. Dhe kjo tregon që edhe rastet më flagrante të korrupsionit kërkojnë të justifikohen duke hequr parasysh që çdo veprim i një qeverie demokratike bazohet në moralin, në dorëheqjet, përpara se t'i japi llogaridhënie të plotë dhe t'i lejojë institucionet e hetimit që të kryejnë punën e tyre.

Por ajo që është më e rëndësishme është që ky sensibilizim i opinionit publik, ju e thatë me të drejtë, bën të mundur që çfarëdo situate që të ndodhi në Shqipëri, ashtu siç e ka parashikuar edhe opozita shqiptare, që tashmë me zotin Rama nuk ka asnjë mënyrë bashkëpunimi, as në parlament, ku dhe institucionet e pakta të mbetura të shtetit janë marrë në mënyrë të padenjë prej tij, duke manipuluar edhe në rastin kur kërkohet një konsensus i plotë, ose është patur një precedent që institucione si Avokati i Popullit t'i kalojë opozitës, kushdo qoftë kjo, nga njëri krah ose nga krahu tjetër, tashmë asnjë gjë nuk funksionon në këtë shtet autokratik të Ramës.

Prandaj, atë që duhet të bëjmë neve është që situata të rikthehet drejt një demokracie. Prandaj, është populli, janë partitë politike të cilat duhet dhe e kanë për detyrë që ta rikthejnë këtë gjë. Dalja e këtyre fakteve në shtypin prestigjoz, në median gjigande amerikane, sigurisht do ta, do ta bëjë më të lehtë një perceptim në të gjitha nivelet.

Në nivelin e opinionit publik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por dhe në nivelin e institucioneve vendimmarrëse të Departamentit të Shtetit, të Këshillit të Sigurimit Kombëtar, që kjo situatë në Shqipëri nuk është një situatë e papritur, është një situatë që vjen pas një kalvari të ekstremiteteve të drejtësisë për ta ndarë dhe për ta për të krijuar një moment humbje te opozita, për të mos bërë të mundur rotacionin politik.

Pastaj duke vazhduar në vjedhjet galopante, duke manipuluar tenderat, duke shfrytëzuar të gjithë hapësirat dhe duke bashkëpunuar jashtë rregullave të përcaktuara nga ligjet e shtetit. Të gjitha këto tregojnë që e para, situatën duhet ta ndryshojnë vetë shqiptarët, por së dyti, sensibilizimi i opinionit publik tashmë është bërë për të ditur që çdo ndryshim që do kërkojë populli shqiptar, është më se i përligjur për arsye sepse është në vazhdimësinë e atyre proceseve të deritanishme që kanë ndodhur, por që vetëm vitet e fundit kanë filluar të shfaqen dhe të perceptohen në opinionin publik botëror.

Një fakt tjetër, dua të them, që ngjarjet e 11 Majit, zgjedhjet farsë që realizoi zoti Rama, dhe nuk ishte dhe nuk janë zgjedhjet e vetme kur ai ndryshoi, por kishim një pandëshkueshmëri të elementëve qeveritarë, të cilët në shumë raste kanë shfrytëzuar gjithë hapësirat e një shteti për të mos legjitimuar ato institucione që do të dilnin nga vullneti i lirë i shqiptarëve.

Kjo tregon që Rama tashmë është i dobët, Rama tani ka frikë nga vetë institucionet të cilat i ka manipuluar dhe instrumentalizuar deri tani kundër opozitës. Por faktet janë aq të forta sa korrupsioni i tij nuk mund të fshihet edhe nga ato organe qe deri tani ai është përpjekur në shumë mënyra për ti dirigjuar dhe për ti orkestruar ato.