Realiteti virtual sjell pak çlirim për fëmijët e plagosur në Gaza
Fëmijët palestinezë të plagosur gjatë luftës izraelite në Rripin e Gazës po gjejnë një shpëtim të përkohshëm nga dhimbja dhe traumat e luftës përmes teknologjisë së realitetit virtual (VR).
Në një tendë të përkohshme në az-Zawayda, fëmijët mund të “shpërngulen” në një botë të sigurt për pak momente, duke harruar plagët e tyre fizike dhe kujtimet traumatike. Salah Abu Rukba, një nga fëmijët që merr pjesë në seancat e VR-së, tha për Al Jazeera se kur vendos kufjet, ndjen rehati dhe harron shkatërrimin, luftën dhe madje edhe zërat e dronëve.
Projekti drejtohet nga Gaza MedTech, një iniciativë teknologjike e themeluar nga inovatori palestinez Mosab Ali, i cili përdori VR-in për të ndihmuar të birin e tij të plagosur. Ali u vra më pas në një sulm izraelit.
Studiuesit kanë konfirmuar se realiteti virtual mund të ndihmojë në trajtimin e çrregullimeve mendore, përfshirë stresin pas traumës (PTSD). Megjithatë, ofrimi i këtij shërbimi në Gaza është i vështirë, pasi pjesët rezervë të pajisjeve ndalohen të hyjnë nga bllokada izraelite.
Sipas OKB-së, mbi 90% e fëmijëve në Gaza tregojnë shenja të stresit të thellë dhe do të kenë nevojë për mbështetje afatgjatë psikologjike. Organizata të ndryshme ndërkombëtare, përfshirë OBSH dhe Zyra Humanitare e OKB-së (OCHA), kanë kërkuar qasje të menjëhershme dhe të pakufizuar për furnizime mjekësore dhe mbështetje psikologjike për fëmijët e Gazës.