Bardhi pas deklaratave të Ramës për Ballukun: Unik është fakti që kemi një zv.kryeministyre të pandehur

Kreu i Grupit Parlamentar të PD Gazment Bardhi, ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama në lidhje me vendimin e Kushtetuese për Belinda Ballukun.

REAGIMI I PLOTË:

Precedent unik në botë është që sot Shqipëria ka Zëvendëskryeministër dhe ministër një të pandehur për abuzime në disa procedura publike tenderimi, me masë sigurimi personal me karakter shtrengues “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”.

Precedent unik në botë është vijimi i qetë i detyrës nga një e pandehur që sipas prokurorisë dhe gjykatës rrezikon të prishë provat apo intimidojë dëshmitarët.

Precedent unik në botë është që zyra e Kryeministrit shndërrohet në zyrë avokatie për një të pandehur që i ka shkaktuar shtetit deri më tani një dëm prej të paktën 50 milionë euro.

Precedent unik në botë është paracaktimi i tenderave nga një ministër në shtëpinë e tij dhe drejtimi i punëve të shtetit me sms urdhëruese ndaj vartësve.

Precedent unik në botë është që dy institucionet më të mëdha shtetërore ARRSH dhe KESH sot i kanë drejtuesit në “arrest shtëpie” dhe ata vazhdojnë të jenë në krye të këtyre institucioneve.

Precedent unik në botë është të kthesh korrupsionin në sistem dhe të sillesh si i papërgjegjshëm e të bësh sikur s’ka ndodhur asgjë.