Berisha: Miratuam ligje për dekomunistizimin e Shqipërisë, por socialistët pas 1997 i anuluan
Lideri i opozitës, Sali Berisha, tha se përpjekjet për dekomunistizimin e Shqipërisë kanë nisur që në vitet ’90, por janë zhbërë sistematikisht pas ardhjes së socialistëve në pushtet në vitin 1997.
Berisha kujtoi se qeveria e djathtë miratoi ligje kyçe për nxjerrjen jashtë ligjit të Partisë Komuniste, për lustracionin e ish-bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit dhe për dënimin e gjenocidit komunist, duke e renditur Shqipërinë ndër vendet e para ish-komuniste që ndërmorën hapa të tillë.
Sipas liderit të opozitës, këto ligje u anuluan ose u zbehën më vonë nga mazhorancat socialiste, duke penguar ndarjen përfundimtare të vendit nga e shkuara komuniste.
Deklarata e plotë:
Kjo ka pak histori. Në vitin '94, ne kemi miratuar ligjin që nxjerrim jashtë ligjit Partinë Komuniste, miratuam ligjin e lustracionit që nxirrnim jashtë administratës publike të gjithë ish-bashkëpunëtorët, oficerët e sigurimit të shtetit dhe nomenklaturën e diktaturës komuniste. Ky ishte ligji i lustracionit.
Me dekret, hoqëm të gjithë titujt dhe dekoratat, ndryshe krejtësisht nga ç'përsëritet, por është dekreti në fuqi, për Hitlerin e popullit shqiptar të pas luftës, Enver Hoxhën, dhe nomenklaturën e tij kryesore.
Përveç kësaj, ne jemi vendi i parë, se ligj lustracioni kishte dhe Çekosllovakia, Çekia më vonë se u nda, po e bëri Presidenti Havel.
Por ne jemi vendi i parë në vendet ish-komuniste që miratuam ligjin e dënimit të gjenocidit komunist. Ligj që i jepte të drejtën çdo të persekutuari të ndiqte penalisht persekutorin e tij. Konkretisht, familjet e të persekutuarëve mund të ndiqnin persekutorët e familjarëve të tyre.
Të gjitha këto u anuluan, përveç ligjit kundër gjenocidit që nuk u anulua po u modifikua, nga ardhja e socialistëve në pushtet në vitin 1997.
Përsëri në vitin 2006, ne sollëm në parlament dhe miratuam ligjin e lustracionit, por këtë ligj e rrëzoi Gjykata Kushtetuese mbasi 5 gjyqtarë, nuk duhej të ishin aty për shkak të së shkuarës së tyre.
Ky është historiku i betejës tonë për dekomunistizimin.
Sot, Shqipëria është në duart e një njeriu, i cili në vitet '90 bënte radikalin, por sot kur i thuhet të kërkojë ndjesë për të atin që firmosi për varjen e Havzi Nelës, jo që s'kërkon ndjesë, po thotë se ai qëndroi në anën e drejtë të historisë, i ati i tij. Në anën e drejtë të historisë, domethënë në anën e atyre që firmosën varjen e njerëzve të pafajshëm.
Në fakt, tregon se parimet që zbatonin etërit e tij, në histori mbeten të drejta, kur ato janë parime çnjerëzore, gjenocidale, por ky, për hir të së vërtetës duhet të themi, se po kryen një gjenocid shumë, shumë herë më gjigant sesa gjenocidi komunist i Enver Hoxhës.
Ka larguar nga Shqipëria për kushte të llogaritura, vetëm në hapësirën e Bashkimit Europian 1.1 milion shqiptarë në 10 vite dhe ka bërë që shqiptarët sot të kenë atë lindshmëri që kanë patur 100 vite më parë.
Pra, në këtë rrafshin e materies, e lëndës kombëtare, Edi Rama është armiku më i egër i shqiptarëve, sikundër në qëndrimet e tij ndaj Kosovës, Edi Rama tejkalon të gjithë të tjerët, ndonjëherë edhe vetë Aleksandër Vuçiçin dhe e kanë krahasuar me të drejtë me Pashiçin, kryeministrin e ultranacionalizmit serb.