Berisha: Do të përdoren të gjitha format e protestave. Prej vitit 2017, Edi Rama ka zhvilluar vetëm farsa elektorale

“Prej vitit 2017, Edi Rama ka zhvilluar vetëm farsa elektorale”, tha Berisha.

“Do të përdoren të gjitha format e protestave”, tha kreu demokrat duke ju përgjigjur pyetjes së një qytetari.

Berisha: E ke të drejtë shumë. 13 vite opozitë janë topitëse. Por prapë, sot është koha e misionarëve, e atyre që janë të vendosur të sakrifikojnë për idealet e tyre.

Çfarë kemi sot në dallim nga vitet e mëparshme? Zgjedhjet e vitit 2025, nuk janë zgjedhjet e para që i merr Edi Rama si farsë. Jo. Ai ka marrë të gjitha zgjedhjet e mëparshme nga 2017-ta gjerë sot, po me farsë elektorale.

Por kemi një dallim të madh. Cili është dallimi i madh? Dallimi i madh është se këto zgjedhje, në ligjin kombëtar dhe ndërkombëtar janë farsë. Edi Rama bëri përpjekjet më të jashtëzakonshme që të ndryshonte raportin e vëzhguesve ndërkombëtarë dhe dështoi plotësisht. Tani Europa, bota pret nga ne t'i dalim zot votës sonë.

Të gjitha format e protestave do të përdoren dhe duhet të përdoren. Kurrë ndonjëherë më shumë, vendi nuk ka patur nevojë për kreativitetin, për guximin dhe vendosmërinë e idealistëve shqiptarë.

Betejë për të rikthyer votën e lirë, betejë për shpëtimin e familjes shqiptare. E para për shpëtimin e demokracisë me votë të lirë, për shpëtimin e familjes shqiptare nga ligji i sapo miratuar, për shpëtimin e Shqipërisë nga rrënimi përfundimtar i saj.

Kështu që është koha e misionarëve, por një gjë ju siguroj, se Partia Demokratike gjersa të realizojë këtë qëllim, do të qëndrojë vetëm në funksion të tij. Protestë, protestë dhe vetëm protestë.