Blegtoria drejt zhdukjes, fermeri: Subvencionet nuk na mbajnë gjallë. Nga 250 dele më kanë mbetur vetëm 50

Belul Metko nga fshati Qatrom i Korçës  ia ka kushtuar gjithë jetën blegtorisë. Me kalimin e viteve ka pasur edhe më shumë krerë dele, por sot, për shkak të moshës dhe mungesës së fuqisë punëtore, kjo punë është bërë gjithnjë e më e vështirë. Punëtorë nuk ka dhe shumë blegtorë po i shesin bagëtitë. Nga 250 krerë që kishte dikur, sot i kanë mbetur vetëm 50.

Subvencionin e fundit e ka marrë para 5 vitesh,vitet e fundit nuk ka përfituar asnjë mbështetje. Çmimi i qumështit ka rënë ndjeshëm, nga 160 lekë për kilogram vitin e kaluar në 120 lekë aktualisht. Ndërkohë, shpenzimet për blegtorinë janë rritur. Delja ka kosto të larta për ushqim, vaksinime dhe shërbime veterinare, të cilat shpesh blegtorët i përballojnë vetë.

Ai nuk përfiton subvencion sepse nuk plotëson kushtin e 100 krerëve, ndërsa pagesa është vetëm 1200 lekë për kokë, një shumë e pamjaftueshme për të mbuluar shpenzimet.

Edhe këto fonde, sipas tij, shpesh nuk shkojnë tek blegtorët. Nëse do të bashkohej me dikë tjetër, do të mund të plotësonte numrin e krerëve dhe dokumentacionin e kërkuar.

Dikur fshati kishte 3000–4000 krerë dele, ndërsa sot numri i tyre ka rënë në rreth 1000.

Sëmundja e murtajës që ra tek bagëtitë kanë ndikuar negativisht si në prodhim, ashtu edhe në çmimin e mishit. Edhe kullotat mungojnë, ndaj blegtorët detyrohen të marrin toka me qira për të nxjerrë bagëtitë në kullotë.

Fondet IPARD, që supozohet të mbështesin sektorin, sipas blegtorëve keqpërdoren dhe nuk arrijnë tek ata që kanë realisht nevojë. Në këto kushte, Belul Metko shprehet se po mendon ta braktisë blegtorinë, pasi nuk ka as kushtet minimale, as stallë të përshtatshme.

Sipas tij, nëse ky sektor nuk duhet të zhduket, qeveria duhet të investojë realisht në ndërtimin e stallave, në vaksinime dhe në mbështetje konkrete për blegtorët. Subvencionet në formën aktuale i cilëson si tallje dhe të pamjaftueshme për të mbajtur gjallë blegtorinë shqiptare.