FIER/ Po punonte tokën bujqësore, fermeri gjendet i pajetë në parcelën e tij
Një aksident me pasojë vdekjen ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në rrethin Libofshë të Fierit.
Një burrë, i identifikuar si Xhorxhi Prifti, 62 vjeç teksa po punonte tokën e tij bujqësore me traktor, ka humbur jetën.
Sipas burimeve nga vendi i ngjarjes, mjeti bujqësor dyshohet se e ka goditur viktimën gjatë punës, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Familjarët janë shqetësuar pasi ai nuk u është përgjigjur thirrjeve telefonike dhe kanë shkuar drejt parcelës së tokës, ku e kanë gjetur pa shenja jete.
Menjëherë është njoftuar policia, e cila ka mbërritur në vendngjarje dhe po kryen veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij aksidenti tragjik.
Njoftimi i policisë:
Fier/Informacion paraprak
Në datë 14.12.2025, në fshatin Libofshë, shtetasi Xh. P., 62 vjeç, duke punuar tokën me mjet zetor, dyshohet se mjeti është përmbysur dhe e ka zënë poshtë shtetasin Xh. P., i cili për pasojë ka humbur jetën.
Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të rastit.