Fermerët refuzojnë takimin me Mitsotakis/ Publikojnë sot listën e kërkesave
Fermerët pritet të shpallin zyrtarisht sot listën e kërkesave të tyre, ndërsa të shtunën njoftuan se nuk do t’i përgjigjen ftesës së kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis për një takim në rezidencën qeveritare Maximou, i planifikuar për pasditen e së hënës. Ftesa ishte bërë publike nga vetë kryeministri nga foltorja e Parlamentit.
Sot pritet gjithashtu reagimi i Kyriakos Mitsotakis përmes postimit të tij javor në Facebook. Ndërkohë, zëdhënësi i qeverisë, Pavlos Marinakis, gjatë debatit për buxhetin, u shpreh se është i vështirë dialogu kur siç tha ai nuk ka një bashkëbisedues që paraqet kërkesa konkrete, duke folur për një “dialog të shtirë”.
Marinakis përsëriti thirrjen e qeverisë për dialog të hapur dhe publik, duke theksuar se nuk do të pranohen bisedime pas dyerve të mbyllura, ndërsa paralajmëroi edhe për pasoja ligjore në rast të bllokadave të reja në rrugë.
LEXO EDHE: Fermerët grekë bllokojnë portin e Selanikut me traktorë dhe bomba tymi
Çfarë kërkojnë fermerët?
Në qendër të protestave janë kostoja e lartë e prodhimit, vonesat në pagesat e ndihmave dhe problemet strukturore të sektorit primar.
Ndër kërkesat kryesore përfshihen:
Parashkrimi i ndjekjeve penale për fermerët
Pagesa e menjëhershme e të gjitha shumave të prapambetura
Vendosja e çmimeve minimale të garantuara për produktet bujqësore
Energji elektrike me kosto të ulët për prodhimin
Karburant pa taksa për përdorim bujqësor
Riorganizimi i OPEKEPE-së
Rikthimi i fondeve të vjedhura tek përfituesit e vërtetë
Publikimi i emrave të përgjegjësve
Krijimi i një strukture të veçantë për peshkatarët dhe bletarët
Probleme serioze për blegtorët
Theks i veçantë i vihet situatës së blegtorëve, të cilët përballen me pasoja të rënda për shkak të lisë së deleve. Ata kërkojnë:
Vaksinim të menjëhershëm
Kompensim të plotë për dëmet
Zëvendësim të të ardhurave të humbura
Rimbushje falas të tufave
LEXO EDHE: Fermerët grekë vijojnë bllokadën, të shtunën takimi mbarëkombëtar
Fermerët kanë paralajmëruar se do të qëndrojnë në bllokada edhe gjatë festave, duke mos përjashtuar veprime më dinamike nëse nuk ka përgjigje konkrete nga qeveria.
“Derisa qeveria të marrë një qëndrim të qartë ndaj kërkesave tona, ne nuk largohemi nga bllokadat”, theksojnë ata, sipas onlarissa.gr, duke shtuar se në planin e tyre përfshihet edhe mbyllja e rrugëve dytësore.