Nuhiu: Taktikisht, ishim perfektë, futbollistët lanë zemrën në fushë

Trajneri i Tiranës, Ardian Nuhiu, foli pas barazimit 1-1 ndaj Teutës në stadiumin “Niko Dovana”, duke vlerësuar paraqitjen dhe disiplinën taktike të skuadrës së tij.

“Mua më takon pjesa taktike dhe dua t’i përgëzoj futbollistët për shpirtin e lojës. Ishte një mënyrë perfekte për sa i përket anës taktike. Më vjen keq për episodin e ndodhur, por vlerësojeni vetë. Nuk dua të komentoj penalltitë apo arbitrimin. Më vjen keq për futbollistët, sepse lanë zemrën në fushë”, u shpreh Nuhiu.

Tekniku bardheblu theksoi se përgatitja për këtë sfidë kishte qenë e detajuar dhe sistemi i zgjedhur ishte përgjigjja e duhur ndaj lojës së Teutës.

“Normalisht e studiojmë kundërshtarin dhe mënyra më e mirë për t’iu përgjigjur Teutës ishte sistemi që paraqitëm në fushë. Kjo më jep të drejtë, sepse kundërshtari nuk na rrezikoi në asnjë moment”, deklaroi trajneri i Tiranës.

Nuhiu vlerësoi gjithashtu korrektësinë e lojtarëve në zbatimin e detyrave taktike dhe balancën e skuadrës gjatë gjithë takimit.

“Futbollistët ishin shumë të kujdesshëm dhe e implementuan mirë sistemin. Shfrytëzuam shpejtësinë, mënyrën se si mbuluam hapësirat, si dhe rikuperimet e topave. Jam i kënaqur me atë që pashë në fushë”, përfundoi Nuhiu.