VIDEO/ Lahuta në UNESCO, Tole: Gjithmonë e më pak praktikues të veglës, rapsodët në zhdukje
Nga Egla Xhemalaj
Lahuta, një nga instrumentet më të lashta dhe të veçanta të traditës shqiptare, është tani pjesë e listës së dukurive materiale që kanë nevojë për mbrojtje urgjente nga UNESCO.
Ky status i jep rëndësinë e duhur instrumentit, por gjithashtu e bën të domosdoshme ndërhyrjen për ruajtjen e saj. Si një pasuri e çmuar kulturore, lahuta ka nevojë për masa të menjëhershme që të mos jetë e rrezikuar dhe të mos humbasë përgjithmonë.
Muzikologu Vaso Tole, i ftuar në emisionin ‘Odeon’, shprehu shqetësimin për gjendjen aktuale të kultivimit të lahutës, e cila nuk është më ajo që ishte para 30 apo 40 vitesh. Emigrimi i masave dhe situata ekonomike, tha ai, e kanë detyruar një pjesë të madhe të popullsisë të largohet nga tradita, duke ndikuar drejtpërdrejt në ruajtjen e këtij instrumenti.
Dikur pjesë e jetës së përditshme, lahuta nuk është më ajo vegël që kalonte nga një brez në tjetrin në familje të mëdha. Sfidat e ruajtjes së saj përballen me një realitet të hidhur popullsia që e ka trashëguar këtë instrument është fare e vogël tanimë dhe numri i lahutave ka pësuar rënie drastike.
Kjo vegël tradicionale, e përdorur në shtëpitë e malësorëve shqiptarë, është më tepër se një instrument muzikor. Rapsodët, të konsideruar si të dërguar nga Zoti, kanë qenë bartësit e kujtesës kolektive dhe të kulturës gojore.
Me aftësinë e tyre të jashtëzakonshme për të mbajtur mend mijëra vargje, ata kanë ruajtur dhe transmetuar historinë e popullit shqiptar. Profesor Vaso Tole theksoi se sot rapsodët janë drejt zhdukjes dhe ky është një rrezik serioz për kulturën e lahutës.
Një nga problemet kryesore që vërehet është bjerrja e përdorimit të saj, e shoqëruar me rënien e numrit të instrumenteve dhe të praktikuesve. Sipas muzikologut, sfidat janë të mëdha dhe një prej tyre është nevoja për një qasje të re ndaj bartësve të këtij arti, në mënyrë që vlera e tyre të njihet dhe trashëgimia që mbajnë të respektohet.
Për të ruajtur këtë traditë, tha Vaso Tole, është e domosdoshme që shteti të ndërmarrë hapa konkretë. Sipas tij, duhet të krijohet një strukturë e posaçme brenda ministrisë që të merret vetëm me nevojat e mbrojtjes dhe ruajtjes së lahutës dhe trashëgimisë së saj kulturore.
Po aq e rëndësishme është që bartësit e kësaj dijeje të kenë mundësi ta transmetojnë atë te brezat e ardhshëm, përmes edukimit dhe mbështetjes institucionale.
Lahuta ka kaluar provën e kohës, por mbajtja gjallë e saj kërkon angazhim dhe përpjekje të vazhdueshme. Pa një angazhim të tillë, rrezikohet që kjo pasuri e rrallë të humbasë vendin e saj në historinë muzikore dhe kulturore të Shqipërisë.