Bellaj pas humbjes ndaj Elbasanit: Ai gol erdhi nga Zoti!

Trajneri i Vorës, Arjan Bellaj, shprehu keqardhjen e tij pas humbjes 1-0 ndaj Elbasanit, duke theksuar se ekipi u penalizua për mungesë përqendrimi në momentet vendimtare të ndeshjes. “Sigurisht, kishim ndryshuar taktikën dhe përgëzoj djemtë për atë që dhanë. Patëm disa raste dhe treguam egoist në pasin e fundit, futbolli të dënon, një moment humbëm përqendrimin dhe u dënuam, për këtë kam keqardhje,” deklaroi trajneri.

Bellaj analizoi edhe lojën në pjesën e parë dhe të dytë: “Ia dhashë detyrat Vrapit, pati keqkuptime me Kasallën dhe duhet të mbronte më mirë. Në pjesën e dytë sistemi nuk ishte i përfunduar, markimet na krijuan problem dhe ndërrimet nuk dhanë atë që prisja. Sa më shumë ndërrime bësh, humbet ekuilibri i skuadrës,” shpjegoi ai.

Megjithatë, trajneri vlerësoi përpjekjen e lojtarëve dhe përqendrimin gjatë pjesës më të madhe të ndeshjes: “Të ishim të fortë lart dhe të krijonim superioritet, ja arritëm këtë, por nuk shënuam. Loja mbaron kur bie bilbili dhe ai gol erdhi nga Zoti. Ne u përpoqëm të fitonim dhe nuk ja dolëm, por po luajmë mirë.”

Bellaj përfundoi me një mesazh motivues: “Po të ishin më pranë, sado fat të kesh, nuk shkon goli në rrjetë. Vazhdojmë të punojmë për çdo ndeshje, për të gjitha skuadrat njësoj, sepse rezultati është ai që na nevojitet në fund.”