Gvozdenoviç: Ndaj Vorës, një fitore karakteri

Trajneri i Elbasanit, Ivan Gvozdenoviç, shprehu kënaqësinë e madhe pas fitores 1-0 ndaj Vorës, duke e cilësuar këtë triumf si një fitore karakteri dhe më se të merituar. “Pjesa e parë nuk ishte e bukur as për mua, as për lojtarët dhe as për tifozët. Pjesa e dytë ishte më me ritëm, ne e merituam fitoren sepse patëm raste. Çunat e kërkuan golin dhe kjo është e rëndësishme,” deklaroi trajneri.

Gvozdenoviç vlerësoi përpjekjet e lojtarëve, edhe pse skuadra nuk kishte shumicën e elementëve të zakonshëm në formacion. “Sot nuk kishim ‘wingerin’ natyral përveç Bunjakut, pati dy raste të mira në pjesën e parë. Donart pati një mundësi të mirë, Manellari gjuajti nga distanca. Kjo ishte mjaft për një ndeshje të fortë dhe të luftuar si sot. Ndoshta nuk mund të bënim më shumë,” tha ai.

Trajneri pranoi se skuadra ishte e hapur dhe e rrezikuar në disa momente, por theksoi rëndësinë e karakterit dhe sakrificës së lojtarëve: “Kisha pak frikë sepse ishim të hapur, por kjo është rreziku i lojës. Jemi pa katër lojtarë dhe të lodhur, por jam shumë krenar për çunat dhe karakterin e tyre. Sot fitoi karakteri.”

Me këtë fitore dramatike në minutat e fundit, Elbasani ruan vendin e parë dhe forcon moralin para dy javëve të mbetura të vitit, duke treguar se edhe në kushte të vështira, skuadra është e gatshme të luftojë për çdo pikë.