Rikthimi në detyrë i Ballukut/ ‘Aspak i surprizuar’, Hoxhaj: GJK e ka humbur tërësisht integritetin e saj!
Skena politike dhe ajo e drejtësisë në Shqipëri është tronditur nga një sërë vendimesh të rëndësishme, të cilat kanë ngritur pikëpyetje serioze mbi integritetin e institucioneve dhe ndikimin e politikës mbi to.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për çështjen e ministres Belinda Balluku dhe nisma e qeverisë për të ashtuquajturën "paqe fiskale", shihen si pjesë e një mozaiku kompleks që vë në provë jo vetëm Prokurorinë e Posaçme (SPAK), por edhe të ardhmen e luftës kundër korrupsionit.
I ftuar në intervistën e edicionit të pasdites në Syri Tv, redaktori, Julian Hoxhaj, vlerëson se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për të rikthyer në detyrë Ballukun, tregon për një institucion që ka humbur integritetin për shkak të një presioni të jashtëzakonshëm politik.
Ky vendim, sipas Hoxhajt, shihet si një mundësi e humbur nga SPAK, i cili kishte prova të mjaftueshme për të kërkuar një masë më të ashpër sigurie si "detyrim paraqitjeje", çka do ta zhvishte automatikisht Ballukun nga imuniteti dhe do të kërkonte autorizim nga Kuvendi.
Në anën tjetër, rikthimi i Ballukut në detyrë konsiderohet strategjik për qeverinë, pasi mundëson firmosjen e marrëveshjeve dhe pagesave për punë publike që kanë mbetur pezull, shumë prej të cilave janë në varësi të Ministrisë së Infrastrukturës.
Kjo lëvizje për gazetarin Huoxhaj, interpretohet si pjesë e një lufte të brendshme mes kryeministrit dhe zëvendëses së tij, ku interesat e përbashkëta i mbajnë të lidhur.
Paralelisht me këtë zhvillim, qeveria po shtyn përpara projektligjin për "paqen fiskale", një nismë që në thelb konsiderohet një amnisti fiskale. Ky ligj u jep mundësinë kompanive të "rregullojnë bilancet e tyre financiare", duke deklaruar fitime apo dividentë të padeklaruar më parë.
Kjo sipas gazetarit, është një portë e hapur për pastrimin e parave të pista, veçanërisht për kompanitë e ndërtimit, të cilat shpesh regjistrohen me kapital minimal por menaxhojnë projekte milionëshe. Kjo nismë legalizon fitime me origjinë të dyshimtë dhe u jep mundësi kompanive të lidhura me krimin e organizuar dhe korrupsionin të pastrojnë paratë e tyre. Kundërshtimi ndaj kësaj nisme ka qenë i gjerë dhe i fortë, jo vetëm nga opozita por edhe nga partnerët ndërkombëtarë si Dhoma Amerikane e Tregtisë, Bashkimi Evropian dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, të cilët e shohin atë si një rrezik të lartë për ekonominë dhe sundimin e ligjit.
Kjo nismë është rezultat i presionit nga kartelet e drogës, të cilat thekson Hoxhaj, e kanë mbështetur qeverinë në pushtet dhe tani kërkojnë "rentën" e tyre, përmes legalizimit të parave të krimit. Këto zhvillime e vendosin Shqipërinë në një situatë të paprecedentë, ku qeveria duket se po vepron në kundërshtim me partnerët strategjikë si SHBA dhe BE, të cilët e kanë shpallur luftën kundër krimit të organizuar si prioritet.
Tregon që kemi një gjykatë e cila e ka humbur tërësisht integritetin e saj për të treguar, minimalisht një respekt ndaj të gjithë qytetarëve shqiptarë që paguajnë taksa në këtë vend, që anëtarët e Gjykatës Kushtetuese të tregojnë disa balanca politike dhe juridike në këtë vend. Por nga ana tjetër jam gjithashtu dhe unë gjysmë i surprizuar nga ky vendim, sepse gjatë kohëve të fundit përtej deklaratave publike të kryeministrit, dhe asaj që në një farë mënyre dihej se çfarë do të ndodhte, ka pasur zëra të shumtë që flasin për një presion të jashtëzakonshëm ndaj anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, zëra të cilët sigurisht që mbeten të kësaj natyre deri në momentin që ne nuk i kemi me prova dhe me fakte për t'i denoncuar, por që presioni i të gjitha formave duket se ka qenë i jashtëzakonshëm.
Dhe kjo qarkullon jo si një fabul urbane në opinionin publik, por sigurisht që ka edhe të dhënat e saj që e vërtetojnë këtë. Kam qenë që në fillim, ku është dhënë masa e sigurisë ndaj zonjës Balluku për pezullimin e detyrë, nga detyra dhe bllokimin e pasaportës, kam qenë skeptik. Kam qenë skeptik sepse në një farë mënyre SPAK ka gabuar dhe e kemi diskutuar së bashku në këtë studio. Ka gabuar sepse SPAK kishte të gjithë elementët, të gjitha provat, të gjitha faktet që masa e sigurisë të ishte edhe më shtrënguese. Po them, minimumi duhet të ishte detyrim paraqitje që do ta detyronte Prokurorinë e Posaçme të shkonte në kuvend patjetër. Dhe detyrimi për paraqitje do ta zhvishte automatikisht dhe pastaj kryeministri le të shkonte sa të donte në Gjykatën Kushtetuese, sepse detyrimi i paraqitjes do ta zbraste edhe nga imuniteti zëvendës kryeministre.
Ndaj në këtë pikë jemi dhe unë nuk dua të as të abuzoj me fjalën publike, por sigurisht që mund të aludoj në këtë pikë që duket sikur edhe SPAK bëri një lloj tolerance me dashje në këtë pikë. Pra Prokuroria e Posaçme i kishte të gjitha mundësitë që ta çonte më tej duke e anashkaluar pikërisht këtë lloj procesi që ndodhi ditën e djeshme. Por tashmë dhe qofsha i gabuar, nëse SPAK nuk ka dashur apo ka qenë në një farë mënyre i pabindur ende për masën që dha herën e kaluar, tashmë ka mundësinë që të na vërtetojë që e ka seriozisht këtë punë. SPAK tashmë duhet të tregojë nëse duhet që në këndvështrimin tonë duhet të shkojë patjetër në kuvend me një masë të re sigurie, jo për t'i bërë sfidë Gjykatës Kushtetuese, jo për t'i bërë sfidë kryeministrit, por për të ruajtur integritetin e tij. Pra prokurori i çështjes, vetë institucioni i SPAK sot janë në pikëpyetje të madhe.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese sigurisht që është një asist për qeverinë në këtë moment. Pra është momental. Nuk e di do të zgjasë, po themi deri në 22 janar apo do të do të kemi një ndryshim të masës, por për momentin qeveria ka mundësinë që të shfrytëzojë, pra kryeministri se qeveria është kryeministri dhe zëvendës kryeministrja se ministrat e tjerë janë inekzistentë në këtë pikë. Lufta bëhet midis atyre të dyve. Dhe sigurisht që edhe kjo që ndodhi është një luftë e brendshme, tashmë e hapur mes Ramës dhe Ballukut dhe sigurisht që të dy kanë, kanë interesa për të ruajtur njëri-tjetrin për shkak të zullumeve që janë përfshirë. Megjithatë, në këtë moment Edi Rama do ta shfrytëzojë Ballukun për të firmosur marrëveshje të ndryshme që janë lënë pezull siç ai i pretendon. Do ta shfrytëzojë gjithashtu për të firmosur urdhër pagesa për shumë punë publike që janë gjithashtu në proces, sepse kemi gati prej rreth një muaji që kur janë vendosur masat e sigurisë, që qeveria nuk bën pagesa ndaj kompanive të ndryshme që janë nënkontraktorë për punë publike në vendin tonë dhe sigurisht që shumica absolute janë në varësi të Ministrisë së Infrastrukturës. Pra, në këtë pikë jemi të qartë se çfarë do të ndodhë.
Patjetër janë institucione shumë serioze, të cilat e shohin këtë jo me skepticizëm, por e shohin me një nivel risku në alarm shumë të lartë. Sepse paqja fiskale është hapje dyersh për paratë e pista që deri më sot janë futur me mekanizma të ndryshëm, qoftë me ato mekanizma që na ka treguar SPAK-u me transport e me automjete apo në forma të tjera. Por sot kompani, sepse unë po ju sjell një shembull për ta kuptuar dhe qytetarët më thjeshtë, pra. Qeveria u jep mundësi kompanive që të rregullojnë bilancet e tyre financiare. Çfarë do të thotë kjo? Pra, kompanitë mund të kenë para supozohet të padeklaruara dhe tashmë do të deklarojnë se shiko, ne kemi harruar të deklarojmë dividentin, apo të deklarojmë ca fitime që i kemi pasur dikur.
Unë kam bërë vëzhgime të herëpashershme dhe kompanitë që përfitojnë leje ndërtimi kryesisht në Shqipëri, janë kompani të cilat regjistrohen në Qendrën Kombëtare të Biznesit me kapital themeltar me 1000 lekë të vjetra apo me 10.000 lekë e tjerë e tjerë. Pra me kapitale minimale. Çfarë u jep qeveria në dorë këtyre kompanive? Qeveria u jep mundësinë këtyre kompanive që sot të deklarojnë jo vetëm rritje të jashtëzakonshme kapitali, por të legalizojnë edhe fitime që nuk dihet se kur i kanë fituar, xhiro të cilat nuk dihet se kur i kanë të ardhura të cilat nuk dihet se ku i kanë marrë, e kështu me radhë. Pra sot kompani të cilat dyshohet se pastrojnë para, se janë kompani me prestanome dhe u shërbejnë qëllimeve të errëta të pastrimit të parave të grupeve kriminale apo edhe të korrupsionit, sot kanë mundësinë që këto para t'i legalizojnë. Është e njëjta gjë në thelb si amnistia fiskale. Ndryshimi i vetëm është termi juridik.
Sepse tashmë të gjitha kompanitë dhe janë emra të cilat ne nuk i dimë për fat të keq, sepse nëse do të ishte serioze kjo çështje, qeveria nuk do të na i mbante të fshehtë emrat e kompanive të cilat janë përfituese. Problemet më të mëdha sot të biznesit në Shqipëri janë po themi pikërisht bilancet financiare. Sepse kemi kompani të cilat janë zhytur në borxhe për shkak të, më falni, të gjobave që kanë marrë nga institucionet shtetërore, qoftë tatimet, qoftë doganat për mallra të padeklaruara apo të deklaruar me fatura fiktive, skema e TVSH-së e tjerë e tjerë. Dhe sot këto kompani në një mënyrë apo në një tjetër janë në procese juridike, gjyqësore me shtetin. Dhe sot dyshimet e ngritura nga të gjithë ekspertët, por edhe nga kampi opozitar janë se këto kompani janë gjithashtu në listën e përfituesve nga kjo paqe fiskale. Që do të thotë se sot qeveria, biznese që kanë konkurruar edhe në mënyrë të pandershme ndaj biznesit të ndershëm, atyre bizneseve që punësojnë njerëz, që paguajnë taksa rregullisht, paguajnë tatim fitimin dhe i shërbejnë rritjes ekonomike të vendit, do të përballen me një situatë sur-reale ku bizneset që i kanë konkurruar në mënyrë të pandershme, do të legalizohen tashmë me një firmë të kryeministrit Edi Rama dhe sigurisht të 84 votave të mazhorancës socialiste aty në kuvend.
Unë mendoj që është një lloj presioni që ka ardhur ndaj kryeministrit të vendit nga pikërisht ato të cilat e kanë mbajtur në pushtet Edi Ramën, që janë kartelet e drogës. Edi Rama është përballë dy zjarreve. Është përballë pikërisht presionit që sot i ushtrohet nga grupet kriminale dhe Edi Ramën ne e kemi parë gjatë muajve të fundit që si rrallëherë ndonjë kryeministër në ndonjë vend të botës që të bëjë agjentin imobiliar, të dalë nëpër Europë dhe të bëjë thirrje shtetasve europianë, hajde blini apartamente në Shqipëri se nëse do të integrohemi, ne do të na rriten çmimet. Dhe çfarë ndodh kjo? Cili është interesi i kryeministrit ta bëjë këtë gjë? Sigurisht që interesi i vetëm është ai premtim që u ka bërë në vitin 2021 pikërisht me amnistinë fiskale. Dhe sot prandaj është amnistia fiskale. Dhe Edi Rama po e bën këtë nën presionin sepse në 2025 ishin pikërisht grupet kriminale ato që i dhanë zgjedhjet në tavolinë kryeministrit të vendit. Dhe sigurisht që ata sot bëjnë bazë rentën e tyre. Dhe renta e tyre është legalizimi i parave të krimit.
Gjatë muajve të fundit jo vetëm institucione si ambasada amerikane, jo vetëm institucione të cilat që lidhen si Banka Botërore apo FMN, por edhe prokuroritë e vendeve të ndryshme të Bashkimit Europian, Grateri në Itali, prokurorët belgë në Belgjikë kanë ngritur shqetësimin që grupet kriminale shqiptare janë të vetmet që pastrojnë paratë e trafikut ndërkombëtar të drogës në vendin e tyre. Dhe pikërisht Edi Rama sot po bën të mundur që rreth 2 miliardë euro, po i referohem këtu shifrave që ka paraqitur opozita, rreth 2 miliardë euro të pastrohen në mënyrën më të lehtë të mundshme. Tashmë jemi në kushtet kur Shqipëria është në një situatë të paprecedent në historinë e saj në këtë aspekt, ku nga njëra anë Shtetet e Bashkuara të Amerikës që supozohet se janë partnerë strategjikë i vendit tonë, partnerë, aleatë në NATO, partnerë i shumë konventave ndërkombëtare, bëjnë dhe kërkojnë nga e gjithë Europa, jo vetëm nga po themi disa vende, por nga e gjithë Europa dhe madje Europa ka marrë masa konkrete duke e shpallur pikërisht në të njëjtën po themi filozofi si presidenti Trump, edhe vendet europiane luftën ndaj karteleve të drogës si luftë prioritare dhe ndaj grupeve terroriste dhe Shqipëria, një vend aleat i NATO-s deri më sot nuk ka asnjë deklaratë të tillë zyrtare për të mbështetur pikërisht këtë lloj nisme.