Syri Tv/ Avionët për Kanada 'u ngritën' pa Ballukun, Edi Rama e miratoi vetë marrëveshjen

Shefi i qeverisë, Edi Rama, në kuadër të avokatisë që bënte ndaj zëvendëses së tij, Belinda Balluku, deklaronte se pezullimi i saj nga detyra po bllokonte nënshkrimin e një marrëveshjeje me Kanadanë për fluturimet mes dy vendeve. Argumenti i Ramës ishte sa qesharak, aq edhe i pabazë dhe kjo u faktua këtë të premte kur ai, në cilësinë e kryeministrit, e nënshkroi vetë marrëveshjen me Kanadanë, edhe pse Balluku vijonte të ishte e pezulluar.

Nga Syri TV
Kryeministri Edi Rama u ankua pak ditë më parë se pezullimi nga detyra i zëvendëses së tij, Belinda Balluku, e akuzuar për aferat 190 milionë euro me Tunelin e Llogarasë dhe 20 milionë euro për një nga lotet e Unazës së Madhe të Tiranës, kishte bllokuar, ndër të tjera, një marrëveshje me qeverinë e Kanadasë për fluturimet mes dy vendeve.

Argumenti i Ramës ishte sa qesharak, aq edhe i pabazë dhe kjo u faktua këtë fundjavë kur ai, në cilësinë e kryeministrit, e nënshkroi vetë marrëveshjen me Kanadanë, edhe pse Balluku vijonte të ishte e pezulluar.

Në mbledhjen e qeverisë së kësaj të premteje, datë 12 dhjetor 2025, Këshilli i Ministrave miratoi vendimin “Miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Kanadasë, për transportin ajror”.

Para se të miratonte këtë marrëveshje, Rama deklaroi në rrjete sociale se autoritetin ekskluziv për nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje e kishte vetëm Belinda Balluku.

"Kanë përfunduar diskutimet në nivel teknik dhe kthim-përgjigjja pozitive e palës kanadeze i ka hapur rrugë lidhjes së marrëveshjes dypalëshe mes Shqipërisë dhe Kanadasë për nisjen e fluturimeve ajrore transoqeanike midis dy vendeve. Mirëpo kjo procedurë aktualisht nuk mund të vijojë me hapat e mëtejshëm të miratimit dhe të nënshkrimit të saj, pasi autoritetin ekskluziv për këto hapa Kushtetuta ia jep ministrit dhe kompetencat vendimmarrëse të tij nuk mund të delegohen tek askush tjetër. Kështu që pezullimi në fjalë vendos një pikëpyetje të madhe mbi fillimin e fluturimeve në qershor 2026, sipas parashikimit."

Nga mënyra se si e prezantoi kryeministri situatën, dukej se gjithçka kishte arritur në një pikë të vdekur dhe se, pa Ballukun në zyrë, avionët nga Kanadaja do të qëndronin në ajër, pa mbërritur në Shqipëri.

Vendimi i djeshëm i Këshillit të Ministrave konfirmoi se argumenti i Ramës ishte thjesht një justifikim banal dhe një përpjekje e radhës e tij për të luajtur rolin e avokatit të Ballukut.