Pse e urren Maga Europën: Trump i çon luftërat kulturore përtej Atlantikut
Nga Amy Mackinnon - FT
Nëse citojmë Donald Trump-in, Londra drejtohet nga një "kryetar bashkie i tmerrshëm, i lig dhe i neveritshëm", Sadiq Khan. Udhëheqësit europianë janë "të dobët", vendet e tyre "në kalbëzim", dhe BE-ja është krijuar për "t'ia futur" SHBA-së.
Trump rezervon një pjesë të madhe të kritikave të tij më të ashpra për aleatët amerikanë në Europë. Pakënaqësia e presidentit të SHBA-së me anëtarët e NATO-s për mosarritjen e objektivave të shpenzimeve për mbrojtjen ishte e njohur. Por jo niveli i antipatisë.
"Erdhi disi papritur," tha Jeremy Shapiro, drejtor kërkimi në Këshillin Europian për Marrëdhënie me Jashtë, i cili ka studiuar debatet e fundit të politikës së jashtme brenda Partisë Republikane.
"Kjo nuk ishte pjesë e debatit në botën e Maga-s para mandatit të dytë."
Sipas analistëve dhe ish-ndihmësve të presidentit, një pjesë e kësaj lidhet me mosmarrëveshje të vjetra për tregtinë, teknologjinë, rregullat për klimën dhe shpenzimet për mbrojtjen.
"BE-ja thjesht e acaron shumë më tepër se çdo partner tjetër tregtar. Atij i duket e vështirë të merret me ta," tha një ish-zyrtar i lartë amerikan që ka shërbyer në administratën e dytë të Trump-it.
Trump ka bashkuar ekonominë me mbrojtjen dhe sigurinë kombëtare, duke i fshirë kufijtë mes BE-së dhe NATO-s, edhe pse ato nuk kanë të njëjtët anëtarë.
"Kur këto vende mbajnë 'kapelën e NATO-s', ato këmbëngulin se bashkëpunimi transatlantik është themeli i sigurisë sonë të përbashkët," shkroi në rrjetet sociale zëvendëssekretari i shtetit Christopher Landau.
"Por kur mbajnë 'kapelën e BE-së', ato ndjekin lloj-lloj agjendash që shpesh janë krejt kundër interesave dhe sigurisë së SHBA-së."
Megjithatë, përqendrimi te politika e brendshme e vendeve europiane duket se shkon përtej mosmarrëveshjeve të politikave. Strategjia e re e sigurisë kombëtare e Trump-it bën thirrje për "kultivimin e rezistencës" brenda bllokut dhe i jep përparësi forcimit të lidhjeve me vendet "të shëndetshme" të Europës Qendrore dhe Lindore, të cilat priren nga konservatorizmi.
"Gjërat që nuk u pëlqejnë te Europa janë të njëjtat gjëra që nuk u pëlqejnë te Shtetet e Bashkuara," tha Justin Logan, drejtor i studimeve për mbrojtjen dhe politikën e jashtme në Institutin Cato.
"Nuk janë dakord me migracionin. Mendojnë se po ndryshon karakterin e vendit. Nuk u pëlqen as rregullat e tepërta."
Dokumenti, i publikuar pa shumë zhurmë online javën e kaluar, paralajmëron se Europa përballet me "zhdukje të qytetërimit" si pasojë e migracionit masiv dhe rënies së lindshmërisë.
"Është më se e mundshme që brenda pak dekadash, disa anëtarë të NATO-s të bëhen me shumicë jo-europiane. Në këtë rast, mbetet pyetje e hapur nëse ata do ta shohin vendin e tyre në botë, apo aleancën me Shtetet e Bashkuara, në të njëjtën mënyrë si ata që nënshkruan kartën e NATO-s," paralajmëron dokumenti.
Ky dokument përfaqëson një largim të fortë nga dekada të politikës së jashtme amerikane, por edhe nga mandati i parë i Trump-it. Strategjia e tij e sigurisë kombëtare e vitit 2017 kishte një ton shumë më tradicional për Europën, duke folur për interesa dhe ideale të përbashkëta.
Kjo pasqyron katër vite të kaluara duke ndërtuar bazën institucionale dhe intelektuale të lëvizjes Maga gjatë administratës Biden.
Gjatë asaj periudhe, mendimtarët kryesorë të lëvizjes kuptuan se, për ta zbatuar plotësisht agjendën e tyre, duhej të bënin më shumë sesa thjesht të fitonin pushtetin, tha Shapiro.
"Në këtë periudhë, ata arritën në përfundimin se arsyeja pse mandati i parë i Trump-it kishte dështuar ishte se nuk e kishte kuptuar se fuqia liberale nuk vjen vetëm nga presidenca dhe kongresi, por edhe nga institucionet më të gjera të pushtetit brenda kulturës," tha Shapiro.
Mandati i dytë i Trump-it është shënuar nga një fushatë agresive kundër asaj që ai e sheh si bastione të elitës liberale: firma ligjore, universitete, media dhe i ashtuquajturi "shtet i thellë" i nëpunësve të karrierës.
"Ata e shohin Europën si një nga këto bastione liberale. Ata po zgjerojnë luftën kulturore edhe në Europë," tha Shapiro.
Përpjekjet e vendeve europiane për të frenuar rritjen e ekstremit të djathtë në vendet e tyre janë parë si një fyerje nga mbështetësit e Maga-s, tha Steve Bannon, ish-strategu kryesor i Trump-it dhe një nga arkitektët kryesorë të lëvizjes.
"Europa është ajo që e urrejnë më shumë," tha ai. "Kryengritja populiste nacionaliste në Europë trajtohet si një pushtim karkalecash nga këta njerëz, dhe ata e përçmojnë këtë. Maga amerikane e kuptoi këtë."
Zëvendëspresidenti JD Vance ishte një nga të parët që shprehu pakënaqësinë e administratës Maga me Europën.
Disa javë pas fillimit të mandatit të dytë të Trump-it, Vance mbajti një fjalim shumë të ashpër në Konferencën e Sigurisë në Mynih, i cili më vonë u pasqyrua edhe në strategjinë e sigurisë kombëtare.
Fjalët e Vance-it tronditën zyrtarët europianë. Ai i akuzoi ata për censurë dhe paralajmëroi se "kërcënimi nga brenda" i Europës ishte më i madh se ai nga Kina apo Rusia, e cila po zhvillon një luftë aktive dhe shkatërruese në kontinent.
Zyrtarë të lartë amerikanë, përfshirë Vance-in dhe sekretarin e shtetit Marco Rubio, kanë mbrojtur hapur partinë e ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD), zyrtarët e së cilës kanë minimizuar Holokaustin, duke i paraqitur hetimet e Berlinit ndaj partisë si sulm ndaj lirisë së fjalës.
Në maj, Rubio e quajti vendimin e shërbimit të inteligjencës së brendshme gjermane për ta shpallur partinë organizatë ekstremiste si "tirani e maskuar".
Trump ka ndërtuar marrëdhënie të mira me disa liderë europianë, përfshirë kryeministrin britanik Keir Starmer dhe presidentin finlandez Alexander Stubb, ndërsa ka përçmuar projektin më të gjerë europian
Presidenti, i cili qeveris mbi bazën e instinktit dhe marrëdhënieve personale, nuk ka gjasa të ndihet i kufizuar nga vizioni i botës i paraqitur në strategjinë e re të sigurisë kombëtare.
"Kjo nuk është Magna Carta e trampizmit," tha Curt Mills, drejtor ekzekutiv i The American Conservative. / Financial Times – Syri.net