Protestë në Shkup në përkrahje të luftëtarëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë
Dhjetëra protestues janë mbledhur sot në sheshin “Skënderbeu” në Shkup për një tubim në përkrahje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të cilët po gjykohen në Hagë. Qytetarët janë parë duke mbajtur simbole kombëtare, ndërsa në sfond dëgjohej muzikë patriotike.
Protesta, e organizuar nga Organizata e Veteranëve të Luftës, ka nisur në orën 13:00 dhe është përkrahur edhe nga figura politike, përfshirë kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti. Ky është tubimi i tretë i këtij lloji, pas protestave të mbajtura më herët në Prishtinë dhe Tiranë.
Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës, Hysni Gucati, ka deklaruar se protesta do të jetë paqësore dhe se nuk ka arsye për shqetësim për qytetarët e Shkupit, pavarësisht deklaratës së kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, i cili ka thënë se nuk e mbështet protestën.
Sipas Gucatit, mbi 10 mijë qytetarë pritet të marrin pjesë në protestë, duke kërkuar lirimin e ish-krerëve të UÇK-së që po mbahen në Hagë. Ai theksoi se Shkupi është destinacioni i fundit i protestave të organizuara deri tani.
“Destinacioni i fundit është Shkupi i shqiptarëve. Presim një numër të madh të shqiptarëve nga trojet tona. Kufiri aktualisht është i lirë dhe nuk ka probleme. Shqiptarët protestojnë në mënyrën më të mirë të mundshme dhe nuk kanë ardhur për të destabilizuar vendin,” tha Gucati në një intervistë për KosovaPress.
Ai shtoi se, sipas informacioneve jozyrtare, në protestë pritet të marrin pjesë mbi 10 mijë persona, përfshirë edhe liderë të partive politike, duke theksuar se nuk ka nevojë për panik dhe se protesta do të zhvillohet në mënyrë paqësore.