VIDEO/ Mjegulla mbulon Kukësin, policia apelon për kujdes në rrugë

Kukësi ka nisur fundjavën me mjegull të dendur, e cila ka qenë prezente pothuajse gjatë gjithë javës, duke ulur ndjeshëm shikueshmërinë dhe duke vështirësuar qarkullimin e automjeteve në rrugët e qytetit dhe në akset kryesore lidhëse. Ky fenomen është më i dukshëm në orët e hershme të mëngjesit dhe gjatë mbrëmjes, ndërsa në disa segmente rrugore, mjegulla ka mbuluar plotësisht zonën, duke krijuar kushte të rrezikshme për lëvizjen.

Megjithatë, deri në këto momente nuk janë raportuar aksidente. Autoritetet rrugore dhe policia e qarkut bëjnë thirrje për kujdes të shtuar nga drejtuesit e mjeteve, duke rekomanduar uljen e shpejtësisë, respektimin e sinjalistikës rrugore dhe përdorimin e dritave të mjegullës, veçanërisht në zonat me terren më të ulët, ku ky fenomen është më i theksuar. Qëllimi i këtyre masave është shmangia e aksidenteve dhe garantimi i sigurisë në rrugë.

Edhe në shumë zona të Kosovës është raportuar mjegull e dendur, sidomos në vendet me lartësi më të ulët, duke ulur dukshmërinë dhe duke e bërë vozitjen më të rrezikshme. Policia apelon tek vozitësit për kujdes maksimal në trafikun rrugor, pasi mjegulla mund të paraqesë rrezik të konsiderueshëm.