Irani sekuestron në Gjirin e Omanit një cisternë me naftë të kontrabanduar
Irani ka sekuestruar një anije cisternë nafte në Gjirin e Omanit, e cila dyshohet se transportonte karburant të kontrabanduar. Lajmi u raportua të premten vonë në mbrëmje nga agjencia e lajmeve Fars, duke shtuar se anija kishte marinarë nga India, Sri Lanka dhe Bangladeshi.
“Një cisternë që transportonte gjashtë milionë litra naftë të kontrabanduar u kap në Gjirin e Omanit”, tha një zyrtar në provincën jugore të Hormozgan.
Zyrtari shtoi se anija kishte çaktivizuar sistemet e saj të identifikimit. Dy ditë më parë, SHBA-të njoftuan se forcat amerikane kishin sekuestruar një tanker të madh në Karaibe që dyshohet se ishte i përfshirë në trafikimin e naftës nga Venezuela dhe Irani, i cili është subjekt i sanksioneve.