Aksident në tunelin e Pogradecit, dy të plagosur

Një aksident rrugor është regjistruar mbrëmjen e së premtes, rreth orës 22:35, në tunelin në hyrje të qytetit të Pogradecit.

Sipas informacioneve paraprake, shtetasi A. Z., 34 vjeç, banues në Memëlisht, teksa drejtonte një automjet tip “Volkswagen”, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e mjetit, duke dalë nga rruga dhe u përplasur me murin anësor të tunelit.

Si pasojë e aksidentit, janë dëmtuar drejtuesi i mjetit, A. Z., si edhe pasagjeri E. T., 35 vjeç, gjithashtu banues në Memëlisht. Të dy të plagosurit janë transportuar në spitalin e Pogradecit, ku po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore.

Në vendngjarje ka mbërritur grupi hetimor, i cili po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit.