Piranjat/ Kush e fshehu trupin e peshkatarit? Pse u neglizhua kërkimi nga Policia e Durrësit?

Në Durrës, kur një marinar nuk kthehet në shtëpi në darkë, zakonisht ka dy arsye: ose është ende në det, ose është ulur për të pirë një birrë, por jo në rastin që do ju tregojmë, kur gjërat kanë marrë një kthesë tragjike.

Arben Byku, 55 vjeç nga Durrësi zhduket papritur më 28 qershor të 2025-ës.

“Babai ka punuar si peshkatar prej 30 vitesh. Gjatë gjithë kësaj kohe unë dhe familja ime nuk kemi kontakt me babain, për shkak se nuk ka valë në det të hapur. Ditën e 28 qershorit babi im zbret në portin e Durrësit dhe takon mamanë time diku nga dreka dhe i thotë që në darkë do të kthehet në shtëpi, pasi të mbarojë detyrimet që ka në port, në peshkarexhë. Mirëpo atë mbrëmje, babai nuk u kthye duke na alarmuar”- tregon Klinsman, djali i Arbenit.

Sa më shumë që orët kalonin, aq më shumë shtohej edhe meraku i familjarëve, ndaj me të gdhirë e nesërmja ata i drejtohen Komisariatit të Policisë së Plazhit të Durrësit.

“Shefi, Kujtim Lleshi na siguroi që do të koordinohet çdo ditë me policinë e Durrësit, me stafin e tij që është në terren, me morgun e Durrësit, por edhe me spitalin e Durrësit, por deri më tani nuk kishin asnjë informacion”- shton ai.

Praktikisht një person i zhdukur pa lënë asnjë gjurmë, prandaj familjarët detyrohen që kërkimet t’i shpërndajnë edhe jashtë Durrësit. Konkretisht te spitali “Nënë Tereza” dhe në morgun e Tiranës.

“Te morgu i Tiranës duhej një procedurë shumë e veçantë, që të identifikosh një trup. Unë dhe familja ime duhet të kishim një firmë nga Komisariti i Policisë të plazhit të Durrësit dhe një OPGJ që e caktonte sërisht po ky komisariat. Ndërkohë, kur unë i kërkoja zotit Lleshi një firmë dhe një OPGJ për të shkuar në morgun e Tiranës dhe për të hequr dyshimet tona të fundit që babai nuk ishte atje, zoti Lleshi na siguronte që ka kërkuar atje dhe nuk ekzsiston asnjë person me emrin Arben Byku.”

Shefi ishte i sigurt që trupi i babait të Klinsmanit nuk ndodhej në morgun e Tiranës, pasi këtë e kishte konfirmuar nga kërkimet që ai vetë ka bërë. Por në këtë histori, siguria më e madhe është që ai ka gënjyer.

“Pasi hyra tek dhoma ku mbaheshin trupat e pa jetë, personi që punonte aty më tregoi tre trupa të paidentifikuar, një nga ata trupa ishte babi im i ndjerë, i cili ndodhej aty prej javësh, i hapur, i paidentifikuar dhe pa shenja jete, i ardhur nga Spitali Ushtarak në Tiranë, pasi ishte aksidentuar te Ura e Dajlanit.”

Imagjinoni pak që 55- vjeçari i ka kaluar ditët e fundit të jetës pa patur pranë njerëzit më të dashur, ndërkohë djali, vajza, gruaja, janë privuar që t’i japin përqafimin e fundit.

Ndërkohë, Arjan Qesja, oficeri i policisë gjyqësore në komisariatin e Durrësit, tregohet i qartë në të gjitha proçedurat që janë ndjekur.

“Budallëku më i madh i këtyre të plazhit është që pse nuk pyesin o vëlla. Sepse është një komunikatë mo burrë, që i thotë sallës: akoma i paidentifikuar. Siç ja nis unë sallës, i shkon drejtorit, e shohin të gjithë atë, ai i plazhit, i shkon emaili. Nuk kanë kontrolluar hiç. Mua, shefin e qarkullimit, shefin e policisë rrugore, si nuk na kanë kontaktuar njëherë ato të plazhit? Të na kishin thënë ato neve që është bërë një kallëzim, unë nuk jam aq budalla, se është jetë robi. Do i thoja hajde këtu, kush e ka bërë kallëzimin? Ku e ke emrin? Numër telefoni. Direkt në cel unë, ka ndodhur një aksident do u thoja, hip me mua në makinë, po e kishim gjetur në second. Ore, s’na ka thënë njeri gjë, fare more, zero.

“ Personi i parë që unë ballafaqova ishte zoti Luftim Lleshi, personi i parë që ne kemi bërë denoncimin për humbjen e babit. Ndërkohë babai im dergjej atje dhe zoti Luftim Lleshi thotë që nuk i kishte shkuar mendja.”- sqaron Klinsmani.

Nga gjithë sa dëgjuam mësuam disa të vërteta për metodat aspak profesionale me të cilat operohet në disa sektorë të uniformave blu.

A duhet të mbajë dikush përgjegjësi për këtë skandal që ka shokuar një familje të tërë? /Piranjat - Syri.net/