SYRI TV/ Berisha: Rama diktoi vendimin e Kushtetueses, nesër mblidhet kryesia e PD për protestat

Lideri i opozitës, Sali Berisha, komentoi vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila riktheu në detyrë numrin 2 të qeverisë, Belinda Ballukun. Gjatë foltores me demokratët e Elbasanit, Berisha tha se Balluku “e ka kapur për fyti” Edi Ramën dhe renditi një sërë aferash të rënda korruptive, në të cilat janë të përfshirë shefi i qeverisë dhe zëvendësja e tij. Berisha paralajmëroi nisjen e shpejtë të protestave të fuqishme kombëtare deri në largimin e regjimit të Edi Ramës.

Lideri i opozitës, Sali Berisha, zhvilloi një takim me demokratët e Elbasanit në kuadër të turit të foltoreve me mbështetësit e opozitës. Berisha e cilësoi vendimin e Gjykatës Kushtetuese për rikthimin në detyrë të Belinda Ballukut si të diktuar nga Edi Rama dhe theksoi se zv.kryeministrja “e ka kapur për fyti” shefin e saj.

"Sot gjykata, e pritshme ajo që dihej i hoqi masën e pezullimit Lubi Ballukut. Ajo shkon në zyrë si zv/kryeministre. E mori Ramën për fyti dhe e vuri para. Se në Ankara ku bënë pazarin e tunelit të Llogarasë, nuk e mori Lubia Ramën, po Rama Lubinë. Ndaj ajo diktoi cdo gjë sot, Rama I diktoi gjykatës e I hoqi masën e pezullimit. Tani ne çfarë do të bëjmë? Do të ngrihemi e nuk do të ndalemi gjer në largimin e tyre.
Ata që janë gati. Po 3 mijë shqiptarë janë gati që nesër të dalin të përballen me ta. E do të shtohemi. Nuk rrihet më" tha Berisha.

Berisha paralajmëroi se këtë të shtunë, Kryesia e Partisë Demokratike do të vendosë nisjen e protestave të mëdha kombëtare deri në largimin e Edi Ramës.

“Nesër në drekë mblidhet kryesia e PD-së. Vendoset me urgjencë për fillimin e revoltave e protestave të cilat nuk ndalen më kurrë gjer në largimin e Edi Ramës. Jo!. Aty ne çdo natë e ditë derisa të rrëzojmë Edi Ramën” tha Berisha.

Gjatë takimit me demokratët e Elbasanit, Berisha u ndal edhe te farsa zgjedhore e 11 majit, e cila, sipas tij, u konfirmua nga raporti i vëzhguesve ndërkombëtarë, dhe theksoi se me Edi Ramën nuk mund të ketë zgjedhje.

Nisur nga zhvillimet e fundit në Kuvend, Berisha kërkoi ndjesë për disa deputetë të Partisë Demokratike, të cilët kishin firmosur kandidaturën e Endri Shabanit për Avokatin e Popullit.

Berisha e cilësoi si stalinist Ligjin për “Gjininë” dhe ftoi qytetarët në betejën për shpëtimin e familjes. Ai shprehu bindjen se brenda opozitës ka mijëra idealistë dhe theksoi se beteja që do të nisë nuk do të ndalet deri në përmbysjen e këtij regjimi dhe fitoren e Partisë Demokratike.