Plani i BE/ Italia rreshtohet krah Belgjikës, kundër planit për ngrirjen e aseteve ruse

Italia po mbështet Belgjikën në kundërshtimin e planit të BE-së për të dërguar 210 miliardë euro nga asetet shtetërore të ngrira të Rusisë në Ukrainë, sipas një dokumenti të brendshëm të parë nga POLITICO.

Ndërhyrja e Romës, numri 3 i BE-së për sa i përket popullsisë dhe fuqisë votuese - më pak se një javë para një takimi vendimtar të udhëheqësve të BE-së në Bruksel - minon shpresat e Komisionit Evropian për të finalizuar një marrëveshje mbi planin.

Komisioni po bën presion që vendet anëtare të BE-së të arrijnë një marrëveshje në një samit të Këshillit Evropian më 18-19 dhjetor, në mënyrë që miliarda euro në rezervat ruse të mbajtura në bankën Euroclear në Belgjikë, të mund të lirohen për të mbështetur ekonominë e Kievit të shkatërruar nga lufta. 

Qeveria e Belgjikës po ngurron nga frika se do të jetë e detyruar të shlyejë shumën e plotë nëse Rusia i merr mbrapsht paratë, por deri më tani i ka munguar një aleat i fuqishëm përpara samitit të dhjetorit.

Tani Italia ka tronditur dinamikën diplomatike duke hartuar një dokument me Belgjikën, Maltën dhe Bullgarinë, duke i kërkuar Komisionit të shqyrtojë mundësi alternative për përdorimin e aseteve ruse për të mbajtur Ukrainën gjatë viteve të ardhshme.

Të katër vendet thanë se “ftojnë Komisionin dhe Këshillin të vazhdojnë të eksplorojnë dhe diskutojnë opsione alternative në përputhje me ligjin e BE-së dhe atë ndërkombëtar, me parametra të parashikueshëm, që paraqesin rreziqe dukshëm më të pakta, për të adresuar nevojat financiare të Ukrainës, bazuar në një strukturë kredie të BE-së ose zgjidhje urëlidhëse”.

Të katër vendet po i referohen një Plani B për të emetuar, borxh i përbashkët të BE-së për të financuar Ukrainën gjatë viteve të ardhshme.

Megjithatë, kjo ide ka problemet e veta. Kritikët vërejnë se do t’i shtojë barrën e lartë të borxhit të Italisë dhe Francës dhe kërkon unanimitet — që do të thotë se mund të vihet veto nga kryeministri hungarez, Viktor Orbán, i cili është miqësor me Kremlinin.

Katër vendet — edhe nëse u bashkohen Hungaria dhe Sllovakia pro-Kremlinit — nuk do të jenë në gjendje të ndërtojnë një pakicë bllokuese, por kritikat e tyre publike shkatërrojnë shpresat e Komisionit për të arritur një marrëveshje politike javën e ardhshme.

Ndërsa kryeministrja e krahut të djathtë e Italisë, Giorgia Meloni, ka mbështetur gjithmonë sanksionet kundër Rusisë, koalicioni qeveritar që ajo udhëheq është i ndarë në lidhje me mbështetjen e Ukrainës.

Zëvendëskryeministri i djathtë, Matteo Salvini, ka përqafuar një qëndrim miqësor ndaj Rusisë dhe ka mbështetur planin e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Rregulli i emergjencës

Duke ofruar një kritikë të mëtejshme, të katër vendet shprehën skepticizëm ndaj Komisionit që shfrytëzoi kompetencat e emergjencës, për të rishikuar rregullat aktuale të sanksioneve dhe për të mbajtur të ngrira asetet e Rusisë në planin afatgjatë.

Pavarësisht se votuan në favor të këtij veprimi për të ruajtur unitetin e BE-së, ata thanë se ishin të kujdesshëm që të mos vazhdonin më tej me përdorimin e aseteve ruse vetë.

“Ky votim nuk paraprin në asnjë rrethanë vendimin mbi përdorimin e mundshëm të aseteve të palëvizshme ruse, që duhet të merret në nivel udhëheqësish”, shkruan të katër vendet.

Mekanizmi ligjor për ngrirjen afatgjatë ka për qëllim të zvogëlojë mundësinë që vendet pro-Kremlinit në Evropë, si Hungaria dhe Sllovakia, t'ia kthejnë fondet e ngrira Rusisë.

Zyrtarët pretendojnë se kjo zgjidhje anashkaluese minon shanset e Kremlinit për të çliruar asetet e tij, si pjesë e një marrëveshjeje paqeje pas luftës - dhe për këtë arsye forcon planin e veçantë të BE-së për të përdorur ato para.  

Megjithatë, të katër vendet shkruan se klauzola ligjore “nënkupton pasoja shumë të gjera ligjore, financiare, procedurale dhe institucionale që mund të shkojnë përtej këtij rasti specifik”./ Politico.