VIDEO/ Rrahje barbare për një koment në rrjete sociale, Aroni dhe Fire porositën sulmin, në pranga ekzekutori
Një konflikt i nisur në rrjetin social TikTok, gjatë një transmetimi live të Gjokë Ndrevataj, i njohur me emrin ‘Aron’, ka përshkallëzuar deri në një akt të rëndë dhune mbrëmjen e 6 dhjetorit në Tiranë. Një 26-vjeçar u dhunua brutalisht vetëm për shkak të një komenti ofendues që i adresoi Aronit gjatë transmetimit.
Sipas burimeve hetimore, Ndrevataj dhe Xhemal Uka, i njohur në rrjetet sociale si ‘Fire’, porositën Helidon Markun, 49 vjeç, një person me precedentë të rëndë kriminal, që të ushtronte dhunë ndaj të riut. Ngjarja u krye në zonën e rrethrrotullimit të Freskut, ku Marku e goditi viktimën në kokë me çekiç. Momenti u filmua nga një person tjetër dhe më pas iu dërgua Aronit, i cili e publikoi videon në profilin e tij në TikTok si akt ‘krenarie’.
Viktima ka pësuar dëmtime të shumta, përfshirë edhe fraktura në kafkë, të cilat mund t’i shkaktojnë pasoja afatgjata. Ngjarja është cilësuar nga hetuesit si një akt dhune i motivuar nga ‘arsye të dobëta’.
Pas identifikimit të porositësve, shërbimet e Komisariatit të Policisë nr. 4, përmes operacionit të koduar ‘Porosia’, lokalizuan dhe arrestuan në Shkodër autorin kryesor, Helidon Marku. Ai rezulton i dënuar më parë me 11 vite e 8 muaj burgim në Itali për plagosjen e 4 shtetasve marokenë dhe 2 shqiptarëve, si dhe me 6 vite burg në Shqipëri për armëmbajtje pa leje dhe shpërndarje droge.
Në gjendje të lirë po hetohet edhe një 33-vjeçar, T. D., i cili dyshohet se ka shoqëruar Markun në momentin e kryerjes së sulmit dhe ka refuzuar të dëshmojë rreth rrethanave të ngjarjes.
Policia ka shpallur në kërkim Gjokë Ndrevatajn (‘Aron’) dhe Xhemal Ukën (‘Fire’), si dhe po punon për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në dhunën ndaj 26-vjeçarit. Burime policore bëjnë me dije se kjo nuk është hera e parë që Ndrevataj dyshohet të ketë porositur dhunën ndaj personave që e fyejnë gjatë transmetimeve live, përfshirë të rinj shqiptarë në Gjermani dhe Itali.
Policia e Tiranës njoftoi se materialet procedurale janë referuar në Prokurori për veprime të mëtejshme.
Njoftimi i Policisë së Tiranës:
Tiranë/ Zbardhet dinamika e ngjarjes së ndodhur më datë 06.12.2025, te rrethrrotullimi i zonës së Freskut, ku u plagos rëndë, me sende të forta, një 26-vjeçar.
Identifikohen 3 shtetas të përfshirë në këtë rast, konkretisht 2 porositësit e plagosjes dhe njëri nga autorët.
Vihet në pranga ky i fundit dhe punohet intensivisht për kapjen e 2 porositësve.
Të tre shtetasit e përfshirë, me precedentë penal të theksuar për krime kundër personit.
I arrestuari, me precedent edhe për armëmbajtje pa leje.
Procedohet penalisht një shtetas që dyshohet se ka shoqëruar autorin e plagosjes, te vendi i kryerjes së krimit, dhe nuk ka kallëzuar rrethana të rastit.
Si rezultat i veprimeve hetimore të kryera me qëllim zbardhjen e autorësisë dhe rrethanave të plagosjes së rëndë të shtetasit F. Y., me sende të forta, më datë 06.12.2025, te rrethrrotullimi i zonës së Freskut, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, në kuadër të operacionit ‘Porosia’, identifikuan 3 shtetas të përfshirë në këtë rast, konkretisht H. M., 49 vjeç, Gj. N., 36 vjeç dhe Xh. U., 30 vjeç.
Nga këto veprime rezultoi se 36-vjeçari dhe 30-vjeçari, për motive të dobëta, kanë porositur shtetasin H. M., për të kryer plagosjen.
Në vijim të veprimeve operacionale, 49-vjeçari u kap dhe u vu në pranga, ndërkaq po punohet për kapjen e shtetasve Gj. N. dhe Xh. U., si dhe për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë që dyshohet se janë përfshirë në plagosjen e 26-vjeçarit.
Gjithashtu, nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin T. D., 33 vjeç, pasi dyshohet se ka shoqëruar shtetasin H. M., për të kryer krimin, si dhe ka refuzuar të deklarojë në polici, rrethana të kësaj ngjarjeje, për të cilat dyshohet se ka patur dijeni.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.