SYRI TV/ Arrestohen në Fushë Kuqe, Alket Xhixha dhe Elvin Mërlika, pjesë e dosjes ‘Plumbi i Artë’
Një operacion në Fushë-Kuqe ka vënë në pranga dy të shumëkërkuarit e policisë, Elvin Merlika dhe Alket, alias Fred Xhixha. Të dy, pjesë e dosjes “Plumbi i Artë”, jetonin në një vilë pranë lumit Droja dhe arrestimi i tyre është filmuar me dron nga policia. Merlika dhe Xhixha akuzohen si organizatorë dhe zbatues të urdhrave të grupeve kriminale për vrasjen e personave kundërshtarë.
Dy të shumëkërkuarit nga drejtësia janë vënë në pranga këtë të premte pas një operacioni të Forcave Operacionale në Fushë-Kuqe. Elvin Merlika, 47 vjeç, dhe Alket, alias Fred Xhixha, 42 vjeç, janë arrestuar nga policia pasi akuzohen për disa vepra penale dhe përfshirjen në ngjarje të bujshme kriminale. Në pamjet me dron dallohet momenti i arrestimit, kur Forcat Operacionale kanë rrethuar dy vilat pranë lumit Droja, ndërsa në pamje shihet edhe një varkë e vogël që dyshohet se përdorej nga dy anëtarët e grupit për të lëvizur drejt Lagunës së Patokut.
Xhixha dhe Merlika janë gjetur të armatosur dhe, pas kontrollit, janë sekuestruar dy armë zjarri pistoleta, dy armë gjahu, dy radio të ngjashme me ato të policisë, një jelek antiplumb dhe municion luftarak. Emrat e Merlikës dhe Xhixhës dalin në dosjen “Plumbi i Artë” pas dëshmisë së të penduarit Nuredin Dumani, ndërsa ata akuzohen për “Sigurimin e kushteve dhe mjeteve për të kryer vrasje, në bashkëpunim të posaçëm me grupin kriminal”; “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”.
Merlika dhe Xhixha dyshohet se janë kontaktuar nga Nuredin Dumani për të vrarë, për 100 mijë euro, Indrit Doklen. Këto detaje janë dhënë nga vetë Dumani, i penduari i drejtësisë, i cili ka deklaruar se për vrasjen që nuk u realizua i ishin premtuar 500 mijë euro. Alket Xhixha ishte ura lidhëse e Nuredin Dumanit, ndërsa Merlika në këtë plan ishte personi i parë që mori “porosinë” për të kryer krimin. Elvin Merlika akuzohet për sigurimin e kushteve për realizimin e vrasjes.
Më herët, SPAK kërkoi edhe konfiskimin e 20 pasurive në emër të tij dhe të familjarëve, por kërkesa u rrëzua në gjykatë. Alket, alias Fredi Xhixha, është vëllai i Besjan Xhixhës, një tjetër personazh i botës së krimit. Besjan Xhixha akuzohet nga SPAK se është paguar nga Nuredin Dumani dhe Talo Çela për vrasjen e vëllezërve Haxhia në Durrës, atentat i realizuar në vitin 2020 në bashkëpunim me Enver Divën, të cilët aktualisht janë në qeli. Vrasja e tyre u krye pasi Talo Çela dyshonte se vëllezërit dinin vendndodhjen e shumës së parave të grabitura në aeroportin e Rinasit.