SYRI TV/ Doli garant për një sasi droge, kosovari mbahet 2 javë peng në Vlorë për 70 mijë euro! 3 të arrestuar

39-vjeçari nga Kosova, Fisnik Xhaka, është mbajtur peng për 2 javë në Vlorë. Ai është dhunuar dhe kërcënuar, ndërsa i kërkuan 70 mijë euro për lirimin e tij. Ka qenë motra e tij ajo që ka lajmëruar policinë, e cila bëri të mundur lirimin e Xhakës dhe arrestimin e 3 personave nga zona e Lumit të Vlorës. Shkak i pengmarrjes dyshohet të jetë prishja e pazareve të drogës në Europë.

Nga Syri TV

Detaje të reja kanë dalë në lidhje me pengmarrjen e shtetasit kosovar në qytetin e Vlorës.

Fisnik Xhaka nga Kosova dyshohet se u mbajt peng për rreth 2 javë nga 3 persona. Sipas policisë, ai është dhunuar dhe kërcënuar nga autorët, ndërsa i kërkuan 70 mijë euro në këmbim të lirimit të tij. Ngjarja e rëndë është denoncuar nga motra e 39-vjeçarit, i cili ishte marrë peng prej 14 ditësh në një banesë në zonën e quajtur “Rruga e Re” në Vlorë.

Policia arrestoi 3 autorët e dyshuar: Vilson Agaj, Orest Çorapaj dhe Julian Zogaj.

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesë, në posedim të Julian Zogajt u gjet dhe u sekuestrua një sasi lënde e dyshuar narkotike e llojit Cannabis Sativa, si dhe një radio marrëse–dhënëse e ngjashme me ato të Policisë. Shkak për pengmarrjen dyshohet të jetë prishja e pazareve të drogës.

Xhaka kishte dalë garant te 3 pengmarrësit që disa persona në Europë të merrnin një sasi droge me vlerë 70 mijë euro pa e paguar, dhe se lekët do t’i paguanin më vonë. Pagesa nuk është bërë dhe 3 personat e arrestuar kanë marrë peng Fisnik Xhakën, duke i kërkuar 70 mijë eurot për të cilat ai kishte dalë garant. Por Fisnik Xhaka nuk ka pranuar të bashkëpunojë me policinë dhe dyshohet se është kërcënuar që të mos flasë për ngjarjen.

Ai është dërguar për ndihmë mjekësore në spital, pasi kishte marrë shqelma në trup dhe plagë e gërvishtje në pjesën e këmbëve si pasojë e dhunës së ushtruar nga pengmarrësit. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në pengmarrjen e 39-vjeçarit Fisnik Xhaka nga Kosova.