Protestat paralizojnë Italinë/ Kepi: Në Shqipëri mungojnë sindikatat, ky është ndryshimi
Gazetarja Alba Kepi, e ftuar sot në Edicionin e Mesditës në SYRI TV, deklaroi se Italia është përfshirë nga një grevë e përgjithshme kombëtare, e thirrur nga grupet sindikaliste në shenjë kundërshtimi ndaj projektligjit të ri të buxhetit që po diskutohet në parlamentin italian.
Sipas Kepit, sindikatat pretendojnë se buxheti i propozuar nga qeveria Meloni sjell shkurtime të konsiderueshme në sektorin e shëndetësisë, kulturës dhe nuk ofron mbrojtje për punonjësit, pensionistët dhe të rinjtë. “Është një Itali e paralizuar sot,” – u shpreh gazetarja, duke theksuar se buxheti i ri “ka rënduar më shumë xhepat e familjeve italiane”.
Protesta ka përfshirë sektorin e transportit publik, atë hekurudhor, shëndetësinë, arsimin dhe shumë shërbime të tjera, duke shkaktuar bllokim të gjerë në vend. Sheshet e qyteteve kryesore italiane janë mbushur me manifestues, të cilët kërkojnë që qeveria të ndryshojë linjën e saj buxhetore.
Sipas Kepit Italia mbetet një nga vendet e BE-së me pagat më të ulëta mujore dhe akuzojnë qeverinë se nuk po merr masa për të mbështetur shtresat në vështirësi ekonomike.
Kepi nënvizoi se, nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh, sindikalistët do të zhvillojnë një tjetër grevë të përgjithshme më 17 dhjetor, e cila këtë herë do të përfshijë edhe transportin ajror. Sot kanë qenë kryesisht punonjësit tokësorë të aeroporteve italiane pjesë e grevës, ndërsa për grevën e ardhshme pritet një përfshirje më e gjerë.
Kepi shprehet se në protestat e sotme janë bashkuar edhe artistë dhe grupe të sektorit kulturor, të cilët kundërshtojnë shkurtimin e fondeve për artin e kulturën. Gjithashtu, krahas sindikatave, në sheshe janë rreshtuar edhe përfaqësues të sipërmarrjes, të cilët kërkojnë më shumë mbështetje nga qeveria për sektorët ekonomikë dhe kontratat e punës.
Sipas Kepit, situata sjell në pah kontrastin me Shqipërinë, ku mungojnë grupe sindikale aktive që të mbrojnë realisht të drejtat e punonjësve. Ajo theksoi se në Itali protesta po shoqërohet nga një front i gjerë shoqëror, që nga punonjësit e deri te kompanitë e mëdha.
Kepi:
Është një Itali e paralizuar sot, një grevë e përgjithshme e proklamuar nga grupet sindikaliste pikërisht për të kundërshtuar ligjin e buxhetit që po merret në analizë në dy dhomat e parlamentit italian. Janë grupet sindikaliste që protestojnë kundër këtij ligji, pra këtij buxheti të ri, i cili sipas tyre ka shkurtuar buxhetin e sektorit të shëndetësisë, sektorit të kulturës, nuk merren në mbrojtje punonjësit, pensionistët, të rinjtë, por ka rënduar më shumë xhepat e familjeve italiane.
Pra është një grevë e përgjithshme që ka përfshirë sektorin e transportit publik, sektorin e transportit hekurudhor , ka përfshirë sektorin e shëndetësisë, arsimin, gjithçka me një vend tashmë të paralizuar. Ka qenë protesta, manifestime që edhe në këto çaste që ne po flasim, kanë mbushur sheshet e qyteteve kryesore italiane dhe po protestojnë pikërisht për qeverinë Meloni e cila edhe njëherë tjetër në këtë ligj të ri të bilanc të buxhetit të ri për vitet e ardhshme, nuk ka marrë parasysh faktin, siç thonë grupet sindikaliste, se Italia është një nga vendet e Europës , me rrogat më të ulëta mujore në krahasim me çdo vend tjetër anëtar të BE-së.
Madje ata kanë kërkuar që nëse qeveria nuk bën ndryshimet që ata kërkojnë, kjo grevë e përgjithshme do të vijojë dhe më datë 17 dhjetor, pra sot kemi 12, pra pas pesë ditësh, grupet sindikaliste kanë informuar se do të vijojnë me një grevë tjetër, e cila do të përfshijë dhe transportin ajror. Sot janë kryesisht personeli tokësor në aeroportet italiane, pra ata që merren me sistemimin dhe transportin e bagazheve, apo shërbimin e pasagjerëve në tokë.
Pra ata kanë qenë pjesë e kësaj grevës së sotshme, por datën 17 do të jetë një tjetër grevë e përgjithshme. Po bëhet disa herë në fakt që jo vetëm grupet sindikaliste, por dhe grupe të caktuara interesi, kompani të ndryshme, por sot për shembull janë dhe grupet që janë bashkuar dhe artistët. Ata që janë pjesë e buxhetit që është destinuar për, për fondin e kulturës dhe artit dhe ata sot kanë qenë pjesë e mjaft skenave ku po protestohet në qytete të ndryshme italiane.
Nuk ka parashikuar për ta dhe nuk ka marrë parasysh kërkesat që ata kanë bërë gjatë.
E sepse në Shqipëri nuk ka askush që i merr në mbrojtje punonjësit, nuk ka grupe sindikalistësh, nuk ka grupe interesi të cilat në vend që të ulen dhe të mbrojnë interesat e atyre që përfaqësojnë, mbrojnë interesat e politikës. Ky është ndryshimi madhor, pasi edhe sot për shembull, përtej sindikalizmit dhe përtej të majtës dhe të djathtës, në krah me manifestuesit janë dhe përfaqësues të sipërmarrës, të kompanive të rëndësishme italiane, të cilët edhe pse kanë në fokus kursimet, pasi nuk mendoj se çdo punëdhënës proteston për të rritur pagën e punonjësve të tyre, megjithatë, janë sot në shesh për të marrë në mbrojtje kontratat e punës.
Pasi nëse qeveria ndihmon me incentiva apo ndihmon me një rritje të fondeve sektorë të caktuar parashikuar për buxhetin e ardhshëm, padyshim kjo është një hyrje, një prurje më shumë edhe për vetë sipërmarrësit në marrjen shkas për të përmirësuar kontratat e punës me punonjësit.
Pra, denoncimi që vjen sot është se po shfaqet gjithmonë një shtet pak social, një shtet që nuk ndihmon familjet apo nuk merr në mbrojtje ato grupe, ato grupe të interesit apo shtresa shoqërore që është në vështirësi ekonomike dhe një buxhet i cili nuk ka marrë parasysh dhe një gjë tjetër që ndoshta harrova ta thoja, faktin se është kërkuar një shkurtim i tatimeve sa i takon pagave mujore të punonjësve.