SYRI TV/ Rruga e ‘Sektor Rinisë’ e lënë në harresë, banorët: Është katastrofë!

Banoret e zonës Sektor Rinia në Durrës janë ngritur në protestë për mungesën e infrastrukturës. Ata kanë kërkuar nga shteti që të investohet mbi këtë aks rrugor që është duke u mbushur me memoriale pasi është bërë burim aksidentesh të rënda ku ka pasur edhe humbje jetësh.

Syri TV

Është rrugë, por nuk plotëson asnjë kusht për tu quajtur e tillë. Bëhet fjalë për rrugën në zonën e “Sektor Rinisë’ në Durrës, e cila përgjatë 10 viteve të fundit ka marrë plot 1.4 miliardë lekë për rikonstruksion, por sërish është e amortizuar, pa ndriçim dhe mbi të gjitha burim aksidentesh. Përgjatë muajve të fundit në këtë zonë janë shënuar dhjetëra aksidente me 6 viktima.

Rruga që lidh fshatin “Adriatik”, të njohur si “Sektori Rinia”, me qytetin, shërben edhe për të shkuar te “Laguna e Fllakës” dhe plazhi ranor i Sektorit Rinia, por ajo gjatë dimrit është e mbuluar nga balta dhe uji, e në verë e pushtohet nga pluhuri, duke krijuar më shumë pengesa sesa mundësi për banorët.