Shehu: Qeveria rrëzoi tre amendamentet për qytetarët dhe shëndetësinë, fatkeqësi për këtë vend të kesh një mazhorancë të tillë!

Deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu, ka reaguar pas votimit në parlament, duke kritikuar maxhorancën për refuzimin e tre amendamenteve që ai kishte propozuar.

Sipas Shehut, amendamentet synonin:

• Akordimin e një fondi prej 20 milionë eurosh për Qarkun e Gjirokastrës, për kompensimin e dëmeve nga përmbytjet e fundit dhe riparimin e infrastrukturës.

• Rritjen e buxhetit të shëndetësisë me 1% të PBB-së, për t’u afruar me nivelin minimal të rekomanduar nga OBSH (4%).

• Dyfishimin e fondit për rimbursimin e medikamenteve, për të arritur rreth 80% të vlerës së tyre për qytetarët.

Deputeti e konsideron refuzimin e këtyre amendamenteve si një humbje për zbutjen e problemeve ekonomike, sociale dhe shëndetësore të qytetarëve, duke shprehur zhgënjim për unitetin e plotë të maxhorancës kundër tyre.

Postimi i plotë:

Rilindja rrezoi dje te tre amendametet qe paraqita:

1- Akordimin e nje fondi te vecante prej reth 20 Milion E per Qarkun e Gjirokastres si rimbusim te demeve nga permbytjet e fundi, per qytetaret e bizneset, si dhe per korregjimin e demtimeve ne infrastrukture.

2- Shtimin e buxhetit te shendetesise me 1% te GDP per tju afruar nivelit minimal me 4% qe vendos OBSh.

3-Dyfishimin e fondit per rimbusimin e medikamenteve ndaj qytetareve, per ta cuar ate ne reth 80% te vleres se tyre.

Fatkeqesisht kjo maxhorance ne unitet te plote i rrezoi te tre keto amendamete, qe une i konsideroj te rendesishem ne zbutjen sado pak te problemeve ekonomike, shendetesore, sociale etj te qytetareve.

Fatkeqesi per kete vend te kesh nje maxhorance te tille!