Detaje të reja/ Goditën me thikë njëri-tjetrin, të rinjtë u larguan pas disa sekondash përleshje
Një ngjarje e rëndë është regjistruar paraditen e sotme në zonën e Zdrales në Shkodër, ku një konflikt mes disa fëmijëve dhe të rinjve ka përfunduar me tre të plagosur, 2 prej tyre vëllezër.
Përplasja dyshohet të ketë ndodhur jashtë shkollës së mesme të gjuhëve të huaja “Shejnaze Juka”, në momentin kur disa prej të rinjve janë konfliktuar fizikisht, duke përdorur mjete të ftohta.
Sipas informacioneve të para, tre të plagosurit janë nën moshën 18 vjeç, ndërsa dy prej tyre janë nxënës të kësaj shkolle. Të rinjtë nuk kanë ngurruar të godasin njëri-tjetrin, ndërsa pas disa sekondash përleshje janë larguar me shpejtësi nga vendngjarja.
Menjëherë pas plagosjes, fëmijët janë transportuar në spital për të marrë ndihmën e parë. Fatmirësisht, të tre ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Njoftimi zyrtar i Policisë:
Policia e Shkodrës konfirmon se ngjarja është regjistruar rreth orës 11:10, në lagjen “Kongresi i Përmetit”. Sipas hetimeve paraprake, konflikti ka ndodhur për motive të dobëta dhe është përfshirë shtetasi A. K., si dhe vëllezërit F. Th. dhe K. Th.
Të tre janë dërguar në spital dhe po marrin trajtim mjekësor. Ndërkohë, grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe identifikimin e çdo personi tjetër të përfshirë në konflikt.
Policia njofton se informacionet e mëtejshme do të bëhen publike në vijim.