Avokati i Sorosit në prehërin e Rilindjes: Si u varros pavarësia e institucionit me Endri Shabanin

Nga Felix Bilani/

​Zgjedhja e Endri Shabanit në krye të institucionit të Avokatit të Popullit, e vulosur në seancën e fundit parlamentare me 85 vota, shënon fundin e iluzionit për pavarësinë e institucioneve kushtetuese në Shqipëri. Ajo që u shit si një "frymë e re", në thelb rezultoi të jetë thjesht një manovër e vjetër e pushtetit për të çimentuar kontrollin absolut. Përtej retorikës së "djalit të ri të shkolluar jashtë", një analizë e ftohtë e fakteve zbulon dy të vërteta të hidhura: lidhjen e tij organike me agjendën e Fondacionit Soros dhe faktin e pakontestueshëm se ai është një i emëruar i "Rilindjes", jo i opozitës.

​Thyerja e "Gentlemen's Agreement" dhe Kapja e Institucionit që në çdo demokraci funksionale, Avokati i Popullit është "gardiani" që mbron qytetarin nga abuzimet e qeverisë. Pikërisht për këtë arsye, tradita politike dhe logjika kushtetuese e do që ky post t'i takojë propozimit të Opozitës. Kjo është e vetmja mënyrë për të garantuar që Avokati nuk do të ketë frikë të ngrejë gishtin ndaj Kryeministrit apo ministrave.

​Më 11 Dhjetor, kjo logjikë u përmbys. Endri Shabani nuk u zgjodh me konsensus, dhe as me votat e opozitës reale, e cila braktisi sallën. Ai u zgjodh me 85 vota, një numër që dëshmon qartë se ishte Partia Socialiste dhe makineria e votave të mazhorancës ajo që e vendosi në atë karrige.

​Pyetja retorike që shtrohet është e thjeshtë: Kur një qeveri, e akuzuar shpesh për arrogancë dhe shkelje të të drejtave, zgjedh vetë "gjykatësin" e saj, a mund të pritet drejtësi? Një Avokat i Popullit që e merr mandatin nga duart e qeverisë, moralisht dhe politikisht, është i pamundur të veprojë kundër saj. Zgjedhja e Shabanit është, de facto, asgjësimi i institucionit si kundër-pushtet, ku profili Ideologjik është  "Soroizmi" si emërues i përbashkët gjë që shkon përtej numrave në Parlament si shqetësimi më i thellë që lidhet me formimin dhe përkatësinë ideologjike të figurës së zgjedhur. Të dhënat publike nga karriera e Z. Shabani konfirmojnë angazhimin e tij të drejtpërdrejtë në strukturat e "Open Society Foundation" (Soros), ku ka shërbyer si Menaxher Programi.

​Në kontekstin shqiptar, ku shpesh është debatuar mbi ndikimin e këtij rrjeti në reformën në drejtësi dhe në mbështetjen e politikave të qeverisë "Rama", ky detaj nuk është periferik. Vendosja e një ish-zyrtari të Sorosit në krye të Avokatit të Popullit mbyll qarkun e një rrjeti që kontrollon pikat kyçe të shoqërisë civile dhe institucioneve.

​Ky profil tregon se Shabani nuk vjen nga llogoret e mbrojtjes së interesit kombëtar apo konservatorizmit që ruan vlerat e familjes dhe individit përballë shtetit globalist, por vjen nga e njëjta "shkollë" politike që ka frymëzuar qeverisjen aktuale. Për pasojë, ai shihet jo si një zë kritik, por si një zgjatim i "elites" që qeveris, duke ndarë të njëjtën gjuhë, të njëjtën qasje dhe, me gjasë, të njëjtët padronë me mazhorancën që krijojnë një Fasadë e re për të njëjtin regjim.

​Zgjedhja e Endri Shabanit është dëmi më i madh afatgjatë që i bëhet institucionit. Duke vendosur një figurë që vjen nga "Shoqëria e Hapur" dhe që votohet nga kartonat e socialistëve, qeveria ka arritur dy qëllime:

1-Ka neutralizuar institucionin, duke u siguruar që Avokati i ri nuk do të jetë kurrë një "dhimbje kokë" reale për pushtetin.

2-Ka krijuar fasadën e "meritokracisë" dhe "fytyrave të reja", duke maskuar kapjen e shtetit pas një imazhi prej djaloshi të shkolluar në Perëndim.

​Qytetarët shqiptarë sot nuk kanë një Avokat të tyre. Ata kanë një zyrtar më shumë të qeverisë, të maskuar nën petkun e pavarësisë. Endri Shabani, me votën e djeshme, vërtetoi se nuk është zgjidhja kundër sistemit, por produkti më i rafinuar i tij.