Fermerët grekë bllokojnë portin e Selanikut me traktorë dhe bomba tymi

Fermerë, blegtorë dhe bletarë nga rajone të ndryshme të Greqisë Veriore kanë marshuar drejt portit të Selanikut për të kryer një bllokadë simbolike, duke përdorur traktorë dhe mjete të tjera bujqësore.

Sipas informacioneve, ata mbërritën nga bllokadat te pikat e pagesës në Malgara, te "Dritat e Gjelbra" dhe nga zona të tjera, duke e shndërruar rrugën kryesore të qytetit në një tubim masiv.

Autoritetet raportojnë se rreth 1,000 persona po marrin pjesë në protestë, ndërsa qytetarët po i filmojnë me telefonat celularë.

LEXO EDHE: Fermerët ngrihen sërish: Bllokadë e re e paralajmëruar në portin e Selanikut

Fermerët përdorën gjithashtu bomba tymi për të tërhequr vëmendjen, ndërsa autoritetet mbyllën portat e portit pak para mbërritjes së tyre për të shmangur situata kaotike.

Përveç blegtorëve dhe bletarëve nga zona të Selanikut dhe Malgarës, në protestë morën pjesë edhe fermerë nga Thesalia, Imathia, Pella, Kosturia, Grevena dhe Kozani, të cilët u drejtuan drejt portit në mënyrë të koordinuar.

LEXO EDHE: Fermerët grekë vijojnë bllokadën, të shtunën takimi mbarëkombëtar

Video dhe foto nga porti tregojnë portat e mbyllura dhe grupin e madh të protestuesve, duke e bërë këtë një nga mobilizimet më të mëdha bujqësore në Greqinë Veriore këtë vit.