Lufta e Europës kundër Demokracisë

Nga Lauren Smith/

Ky ka qenë një vit i keq për demokracinë europiane. Brenda vetëm 18 muajve, janë anuluarzgjedhje, liderë opozitarë janë ndaluar dhe qeveri janë ndëshkuar financiarisht për zbatimin e politikave që vetë votuesit e tyre kanë zgjedhur.

Elitat politike europiane kanë talent për t'i kthyer zgjedhjet në teatër politik. Kur establishmenti vendos se një parti "e gabuar" po bëhet shumë e popullarizuar, nuk ngurron të ndërhyjë për t'u "korrigjuar" votuesve gabimin. Kjo shihet qartë në Gjermani, ku partia populiste e djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD), megjithëse e dyta për nga popullariteti në Bundestag, ka vite që përballet me kërcënime për ndalim.

Nga krerë të inteligjencës që e quajnë AfD-në një parti "ekstremiste e konfirmuar", deri te mocione të përbashkëta të partive të tjera që eksplorojnë hapur mundësinë për t'i hequr financimet apo për ta ndaluar krejtësisht, ideja e ndalimit të opozitës kryesore të Gjermanisë shihet si një temë krejt normale. Vetëm një muaj më parë, presidenti federal foli në një fjalim se ndoshta demokracia duhet të mbrohet duke shpërbërë parti të popullarizuara.

Edhe pse në nivel kombëtar kjo mbetet kryesisht retorikë, eksperimenti tashmë po zbatohet lokalisht. Deri në shtator, një gjykatë vendosi që banorët e qytetit Ludwigshafen në Rheinland-Pfalz nuk duhej të lejoheshin të votonin për kandidatin e AfD-së për kryebashkiak. Kryebashkiakja aktuale Jutta Steinruck kërkoi nga Ministria e Brendshme informacion për kandidatin Joachim Paul. Ministria, e kontrolluar nga SPD-ja, të njëjtët që këtë vit njoftuan se do të ndalonin punonjësit civilë që janë anëtarë të AfD-së, u përgjigj duke hartuar një raport. Ky raport argumentonte se Paul duhej përjashtuar për shkak të mbështetjes për remigrimin, një foto me aktivistin austriak Martin Sellner, një referencë ndaj "Kryezotit të unazave" në një artikull që kishte shkruar, dhe faktit që i pëlqen "Njibelungenlied" i Wagnerit. Kjo "provë" e dobët mjaftoi që komisioni zgjedhor i qytetit, i dominuar nga SPD, CDU, FDP dhe një grup lokal,  ta hiqte Paul-in nga fleta e votimit. Vendimi u vulos nga çdo gjykatë deri te Gjykata Kushtetuese Federale. Votuesve u mbetën të njëjtat zgjedhje të vjetra, kandidatët e CDU, SPD, një i pavarur (anëtar i SPD), dhe një nga Volt pro-BE-së.

Kjo lloj ndërhyrjeje antidemokratike po ndodh në nivel lokal në Gjermani, por në Francë është drejtuar ndaj vetë majës së politikës. Në mars, Marine Le Pen, udhëheqësja e Tubimit Kombëtar dhe figura kryesore e opozitës së djathtë, u dënua me burg, një gjobë prej 100,000 eurosh, dhe më e rëndësishmja, ndalim për të mbajtur poste publike për disa vite. Gjykimi kishte të bënte me keqpërdorimin e fondeve të Parlamentit Europian, duke pretenduar se disa persona të paguar si "asistentë parlamentarë" në fakt punonin në Francë për partinë. Edhe pse e paligjshme, kjo është e zakonshme në BE dhe zakonisht zgjidhet me rimbursime, jo me procedura penale me burg. Siç ndodhi, dënimi i Le Penit e përjashton atë nga gara presidenciale e vitit 2027.

Ndërhyrjet nuk kufizohen te qeveritë kombëtare. Bashkimi Europian vetë po ndërhyn gjithnjë e më shumë kur votuesit zgjedhin politika të "gabuara". Në qershor të vitit të kaluar, Gjykata Europiane e Drejtësisë goditi Hungarinë me një dënim të paprecedentë për refuzimin e saj për të zbatuar linjën e BE-së për imigracionin: një gjobë prej 200 milionë euro, plus 1 milion euro çdo ditë derisa të ndryshojë sistemin e azilit. Qeveria e Orbán-it akuzohet për "krimin" e mbrojtjes së kufijve në një mënyrë që Brukseli nuk e pëlqen. Me fjalë të tjera, politika e votuar nga hungarezët po shpallet e pavlefshme, dhe nëse Budapesti nuk tërhiqet, BE do ta shtrëngojë ekonomikisht. Deri në prill, gjobat e akumuluara llogariteshin mbi 500 milionë euro.

Brukseli ka treguar gjithashtu se nuk heziton të ndërhyjë në zgjedhjet e shteteve anëtare. Në nëntor 2024, raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale në Rumani u fitua nga Călin Georgescu, një figurë margjinale, anti-BE dhe pro-Rusi, i cili mori rreth 23% të votave. Më pak se dy javë më vonë, Gjykata Kushtetuese anuloi rezultatin, duke cituar sulme kibernetike ruse, fonde të padeklaruara, dhe manipulim të rrjeteve sociale dhe mjeteve IA-je në favor të tij. Balotazhi u shty për në maj të këtij viti.

Në mars 2025, me sondazhet që e vendosnin sërish Georgescu-n në krye, Byroja Qendrore Zgjedhore e përjashtoi nga gara, duke u mbështetur në hetimet e hapura ndaj tij. Gjykata Kushtetuese e konfirmoi përjashtimin, duke e ndaluar përfundimisht kandidatin që pritej të fitonte.

Zyrtarisht, ishin gjykatat dhe autoritetet rumune që morën këto vendime. Por ish-komisioneri i BE-së, Thierry Breton, u mburr në televizion: "E bëmë në Rumani dhe do ta bëjmë edhe nëse duhet në Gjermani." Deklaratë që u pa gjerësisht si pranim se Brukseli kishte ndikuar rezultatin në Rumani dhe se do të ishte i gatshëm ta bënte të njëjtën gjë kundër AfD-së në Gjermani.

Demokracia në Europë është në gjendje të rëndë. Sigurisht, BE-ja nuk do ta shpëtojë. E ashtuquajtura"Mburoja europiane e demokracisë", e propozuar nga Ursula von der Leyen në vitin 2024 dhe zyrtarisht e prezantuar muajin e kaluar, është më shumë një mjet për të mbrojtur veten nga demokracia sesa për të mbrojtur demokracinë. Skema paraqitet si luftë kundër dezinformimit dhe ndikimit të huaj, por në praktikë do të përdoret për të heshtur kritikët. Çdo zë që sfidon hegjemoninë e BE-së rrezikon të akuzohet për lajme të rreme dhe çdo politikan që mbron sovranitetin kombëtar do të etiketohet si agjent rus ose kinez.

Udhëheqësit europianë janë të frikësuar nga popujt e tyre. Elitat politike nuk besojnë se njerëzit mund të marrin vetë vendime,  e aq më pak vendime kaq të rëndësishme sa kush duhet t'i qeverisë. Derisa votuesit të tregojnë se nuk pranojnë më të menaxhohen, censurohen apo anulohen, shumë vende europiane do të mbeten vetëm "demokraci me emër". Pushteti nuk do të kthehet me mirësjellje. Nëse europianët duan ende një zë, do t'u duhet ta ngrejnë atë. / European Conservative – Syri.net