Gruaja në San Francisko lind në një taksi pa shofer
Taksitë pa shofer të Waymo-s janë bërë virale për arsye negative që nga vrasja aksidentale e një maceje në San Francisko, deri te një marrja e një kthese në mënyrë të paligjshme para policisë, e cila nuk mund të vinte gjobë sepse nuk kishte shofer.
Por këtë javë, taksitë pa shofer sollën një lajm shumë më të bukur: një grua në San Francisko lindi brenda një taksie Waymo.
Sipas një zëdhënësi të kompanisë, nëna ishte rrugës për te qendra mjekësore e Universitetit të Kalifornisë në San Francisko të hënën, kur lindi brenda robotaksisë. Waymo tha se ekipi i mbështetjes së pasagjerëve vuri re “aktivitet të pazakontë” brenda makinës dhe telefonoi për t’u interesuar për pasagjeren, si edhe njoftoi 911-ën.
Kompania, e cila është në pronësi të Alphabet (kompania mëmë e Google), nuk tregoi më shumë për mënyrën se si automjeti e kuptoi se diçka nuk shkonte.
Waymo ka thënë se makinat e saj kanë kamera dhe mikrofonë brenda dhe jashtë automjetit.
Taksia dhe pasagjerët e saj mbërritën të sigurt në spital, madje para shërbimeve të urgjencës. Jess Berthold, një zëdhënëse e UCSF, konfirmoi se gruaja dhe foshnja u sollën në spital, por gruaja nuk ishte e disponueshme për intervista.
Waymo tha se automjeti u hoq nga qarkullimi për pastrim. Edhe pse raste të tilla janë të rralla, kompania tha se kjo nuk ishte hera e parë që një foshnjë lind në një nga taksitë e saj.
Taksitë pa shofer janë bërë shumë të njohura, edhe pse janë vënë më shumë nën lupë. Pasagjerët mund t’i përdorin në autostrada në zona si San Francisko, Silicon Valley, Los Anxheles dhe Phoenix.
Në shtator, një makinë Waymo bëri një kthesë të ndaluar përpara një tabele që e ndalonte qartazi atë veprim dhe përdoruesit e rrjeteve sociale tallën policinë e San Brunos, sepse ligji i shtetit nuk lejonte policët të gjobitnin një makinë pa shofer. Në tetor, një mace shumë e dashur e lagjes Mission, e quajtur Kit Kat, u shtyp nga një makinë Waymo. / NBC News – Syri.net