SKANDALI/ Gërmimet me buldozer në Parkun Arkeologjik në Finiq/ Arkeologu Shabani: E patolerueshme

Dy buldozerë janë filmuar tre ditë më parë në Parkun Antik të Finiqit duke gërmuar mbi rrënoja antike. Fillimisht është dyshuar se mumd të ishin persona thesarkërkuesish duke përdorur mjete të rënda por që njëherazi me veprimin e tyre po shkatërronin sitin arkeologjik kulturor.

Për të parë nga afër se çfarë po ndodhte konkretisht shkuam në vend. Mësuam se pas këtyre gërmimeve këtu nuk qëndrojnë thesarkërkues, siç u dyshua në fillim por punonjës të shtetit, të cilët po gërmonin në mes të parkut arkeologjik me mjete të rënda.

Kjo pasi në këtë zonë të mbrojtur ka nisur të zbatohet projekti “Restaurimi dhe konsolidimi i murit rrethues”, që sipas informacioneve jo me shkrim është një projekt i vitit 2021 por që për mungesë fondesh tani është bërë i mundur zbatimi i tij. 

Pra në korrik të këtij viti është marrë vendimi për të nisur këto punime që bëhen tani, vendim ky i Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, pas kërkesës së bërë nga Instituti Kombëtar i Regjistrimit të Trashëgimisë Kulturore ndërkohë që është vënë në zbatim nga Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Vlorë.

Por shqetësimi  në këtë rast nuk është dhënia e lejes për restaurimin e murit rrethues të këtij siti arkeologjik por mënyra se si po kryhen këto ndërhyrje duke lejuar mjete të rënda në Parkun Antik.

Prania e tyre dhe puna, ndërsa mendohet se do të rregullojë murin rrethues, natyrisht që njëherazi rrezikon shtresat arkeologjile të sitit, madje të atyre të ekspozuara dhe gjithashtu edhe strukturat antike që janë zbuluar me kujdes ndër vite.

Rruga që të shpie drejt sitit arkeologjik ishte totalisht e bllokuar.  U desh një kohë rreth 40 minuta në këmbë, për të mbërritur në vendin e punimeve. Nga filmimet e realizuara në brendësi të vendit ku kryhen punimet të bëra me dron se ishte e ndaluar të hyje brënda vihen re  relike të hapura e të ekspozuara në shesh, ndërsa mjetet e rënda ishin pozicionuar pikërisht në mes të parkut.

Aty ku arkeologët shqiptarë dhe të huaj kanë punuar për gati një dekadë vetëm me mjete dore, për të shmangur çdo dëmtim të sitit.

Për arkeologun me përvojë dhe pjesëmarrës në shumë ekspedita, tani në pension Halil Shabani, kjo praktikë pune është e patolerueshme.  Metoda të tilla nuk zbatohen në asnjë vend ku respektohen standardet e konservimit dhe restaurimit arkeologjik.