Gjykata Kushtetuese vendos sot për fatin e Ballukut, gazetari i SYRI-t tregon kur do zhvillohet seanca

Gjykata Kushtetuese pritet të marrë sot një vendim kyç lidhur me kërkesën e Këshillit të Ministrave për të rrëzuar pezullimin nga detyra të zëvendëskryeministres Belinda Balluku, duke shënuar një moment vendimtar në përplasjen mes pushtetit ekzekutiv dhe institucioneve të reja të drejtësisë.

Një trupë gjyqësore e përbërë nga tetë anëtarë do të vendosë nëse do ta pranojë për shqyrtim kërkesën e qeverisë, apo do ta refuzojë atë, duke lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Posaçme (GJKKO). Çështja i kaloi kësaj trupe të zgjeruar pasi kolegji fillestar me tre gjyqtarë nuk arriti një vendim unanim.

Sipas burimeve, gazetari i SYRI-t, Klajdi Bodlli raporton se seanca pritet të mbahet pas orës 13:00. Nëse kërkesa e qeverisë rrëzohet, vendimi i GJKKO për pezullimin e Ballukut mbetet automatikisht në fuqi. Nëse pranohet, atëherë Gjykata Kushtetuese do të shqyrtojë në themel kushtetutshmërinë e vendimit të GJKKO-së.

Belinda Balluku, njëkohësisht edhe Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, u pezullua nga detyra me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme (SPAK), me arsyetimin se ajo mund të prishte provat ndërsa ishte ende në funksion. Ajo është marrë e pandehur për "shkelje të barazisë në tendera" në dy raste madhore.

Vendimi që do të merret sot nga Gjykata Kushtetuese nuk do të përcaktojë vetëm fatin e mandatit të zëvendëskryeministres Balluku, por do të shërbejë edhe si një precedent i rëndësishëm për balancat dhe ndarjen e pushteteve në Shqipëri.

Bodlli: Gjyqtarët do të vendosin sot nëse do të marrin apo jo në shqyrtim kërkesën e Këshillit të Ministrave për të rrëzuar vendimin e Gjykatës së Posaçme për pezullimin nga detyra të zëvendëskryeministres Belinda Balluku, njëkohësisht dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, pasi çështja fillimisht u diskutua në kolegjin e Gjykatës Kushtetuese ku tre gjyqtarët nuk ranë dakord në unanimitet për të marrë një vendim në lidhje me këtë çështje, siç përcakton dhe rregullorja e Gjykatës Kushtetuese, çështja i kalon një trupe gjyqësore prej tetë gjyqtarësh, e cila sot pritet të marrë vendimin nëse do të pranojë apo jo kërkesën e Këshillit të Ministrave dhe nëse do ta refuzojë atë, duke lënë kështu në fuqi vendimin e Gjykatës së Posaçme për pezullimin e Belinda Ballukut.

Burime nga Gjykata Kushtetuese na kanë konfirmuar se kjo seancë pritet të mbahet pas orës 13:00, për shkak të tre seancave të tjera të cilat ka të parashikuar Gjykata Kushtetuese në kalendarin e saj, një seancë e cila pritet të nisë në orën 10:00, një tjetër seancë në orën 12 dhe një tjetër në orën 13 dhe pikërisht pas përfundimit të seancës së orës 13, pritet që trupa prej tetë gjyqtarësh, le të themi, të shqyrtojë dhe kërkesën e Këshillit të Ministrave për pezullimin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku dhe për rrëzimin e vendimit të Gjykatës së Posaçme që e ndalon atë të dalë jashtë vendit, gjithashtu e pezullon dhe nga detyrat publike, atë të zëvendëskryeministres dhe ministres së infrastrukturës dhe energjisë. Një vendim i dhënë nga Gjykata e Posaçme pas kërkesës së Prokurorisë së Posaçme me arsyetimin se zonja Balluku mund të prishë prova duke qenë ende në detyrë. Belinda Balluku akuzohet nga Prokuroria e Posaçme dhe është marrë e pandehur për shkelje të barazisë në tendera për dy raste.

Pikërisht, një rast është për tunelin e Llogarasë, ku sipas Prokurorisë së Posaçme, zonja Balluku së bashku me bashkëpunëtorët e saj dhe kryesisht me drejtorin e rrugëve zotin Evis Berberi, ka përcaktuar fituesin e këtij tuneli me një vlerë prej 190 milionë eurosh, ndërkohë që më herët një tender i mëparshëm me vlerën e 150 milionë eurove ishte anuluar me urdhër të zonjës Balluku, siç ka dalë dhe nga bisedat që ajo ka bërë me drejtorin e rrugëve dhe tashmë, le të themi janë biseda të cilat janë nën zotërim nga Prokuroria e Posaçme. Gjithashtu ajo akuzohet dhe për një tjetër rast të shkeljes së barazisë në tender për lotin 14 të Unazës së Madhe të Tiranës, ku gjithmonë sipas Prokurorisë së Posaçme, zonja Balluku ka shkelur barazinë në tender, duke paracaktuar fituesin në lidhje me këtë lot të Unazës së Madhe dhe duke urdhëruar varësin e saj, Evis Berberi, le të themi për të shpallur fituesit që ishin të përcaktuar më parë se tenderi të hidhej. Madje duke detyruar dhe kompanitë fituese se me të cilat do të bashkëpunonin për të fituar këtë tender.

Megjithatë, le të themi pezullimi i Belinda Ballukut për herë të parë ka nxjerrë në pah dhe një kundërshti të kryeministrit Edi Rama, tek sa gjatë gjithë kohës ka qenë pro, institucioneve të reja të drejtësisë. Këtë herë zoti Rama ka pasur sulme të vazhdueshme dhe është shprehur se pezullimi i një zyrtari të lartë nga Gjykata e Posaçme është shkelje e kompetencave të qeverisë dhe është i paprecedent, pasi nuk ka ndodhur sipas tij në asnjë vend të Bashkimit Evropian. Një përplasje e cila me sa duket këtë herë është e qëndrueshme e kryeministrit Rama me institucionet e reja të drejtësisë. Le të themi që ka pasur deklarata dhe sulme të mëparshme në rastin e zotit Erion Veliaj, por më pas kryeministri është tërhequr duke u shprehur se nuk do të pengojë punën e drejtësisë dhe nuk ka komentuar më vendimet për kryebashkiakun e Tiranës.

Por në rastin e zonjës Belinda Balluku, me sa duket qëndresa e kryeministrit, por dhe e gjithë qeverisë është e qartë, pasi jo vetëm ka ankimuar në Gjykatën Kushtetuese vendimin e Gjykatës së Posaçme për pezullimin e Belinda Ballukut, por në thuajse në çdo shfaqje publike, kryeministri Edi Rama e ka sulmuar këtë vendim të Gjykatës së Posaçme me argumentet e tij se, le të themi ky vendim është i paprecedent dhe se Gjykata e Posaçme ka hyrë në kompetencat e qeverisë për të emëruar dhe për të shkarkuar zëvendëskryeministrin, por dhe ministrin e Energjetikës dhe Infrastrukturës.

Megjithatë, pas disa javësh e cila, kjo çështje ngelet pezull për shkak të ankimimit të qeverisë dhe pasi treshja e kolegjit gjyqësor të Gjykatës Kushtetuese nuk mundi që ta zgjidhte këtë çështje në unanimitet, kjo çështje tashmë i ka kaluar një trupe të plotë në Gjykatën Kushtetuese, e cila ditën e sotme pritet të marrë një vendim. Nëse do të pranohet kërkesa e qeverisë, atëherë Gjykata Kushtetuese pritet të japë një vendim në lidhje me masën e vendosur nga Gjykata e Posaçme.