Shkolla turke në Himarë, Suli akuza për Vangjel Tavon: Po na kthen 500 vjet pas, plan i fshehtë indoktrinimi
Sekretari i OMONIA-s në Himarë, Marin Suli, ka reaguar ashpër ndaj një deklarate të kryebashkiakut të Himarës, Vangjel Tavo, lidhur me mundësinë e ngritjes së një shkolle me mësim në gjuhën turke në zonë. Duke folur në emisionin “KAFE SHQETO” në SYRI TV, Suli e cilësoi idenë e raportuar si të papranueshme dhe të shkëputur nga realiteti demografik dhe kulturor i fshatrave të Himarës.
Sipas Sulit, komuniteti i të rinjve në zonë ka nevojë të orientohet drejt tregut europian dhe gjuhëve të huaja që lidhen me Bashkimin Europian. Ai akuzoi kryebashkiakun Tavo për tejkalim kompetencash, duke deklaruar se “institucionet arsimore private apo publike nuk hapen nga kryetari i bashkisë, por me vendim të Këshillit Bashkiak dhe me kërkesë drejtuar Ministrisë së Arsimit”.
Në deklaratat e tij, Suli pretendoi se shoqata turke që sipas tij përmendet në këtë projekt, është e lidhur me politikat shtetërore të Turqisë pas ngjarjeve të vitit 2016. Ai e konsideroi këtë si një përpjekje për “indoktrinim”, duke thënë se “zona nuk ka islamistë, nuk ka element otoman dhe nuk kërkon një realitet të tillë”.
Në vijim, Suli akuzoi kryebashkiakun Tavo për “keqmenaxhim” dhe “tejkalim të kompetencave”. Ai solli në vëmendje edhe çështje të vjetra si “dhurimin e spitalit nga Turqia në periudhën e pandemisë”, të cilin e cilësoi si “të shoqëruar me kosto të tjera për shtetin shqiptar”.
Suli kritikoi gjithashtu një aktivitet të fundit të kryebashkiakut Tavo, duke iu referuar një takimi publik në të cilin ishte thirrur ministri i Bujqësisë për të analizuar sezonin turistik 2025, gjë të cilën ai e cilësoi si “të papërshtatshme” për kompetencat e ministrisë dhe natyrën e çështjes.
Suli:
Ka gjuhë plotë europiane që mund të studiojnë të rinjtë dhe të rejat e Himarës që t'i orientojnë drejt tregut europian. Gjithë bota shikon të ikin në Bashkimin Europian. Kryeministri, palloshi i Belës ulërin nga mëngjesi në darkë që do hyjmë në 2030-ën. Askush nuk i ka më sytë nga Turqia apo nga nga gjëra të kaluara nga historia. Zoti Tavo si iluminist që është, do të na kthejë 500 vjet mbrapa. Mbase stërgjyshërve të tij i ka shijuar pushtimi otoman në Shqipëri, neve jo dhe nuk e duam absolutisht. Është, kjo është kaq edhe është e thjeshtë.
Po zoti Tavo bëri një status dhe mendoj që në kuadrin e e budallallëkut apo të papërgjegjshmërisë që ata kanë si si bashki, mendoj që nuk do të kishte reagim. Dhe pas statusit për të treguar që ky po punon shumë dhe po vjedh nga mëngjesi në darkë, po dhe duke vjedhur bën dhe ndonjë punë, dha dhe një intervistë. Dhe në intervistë e përforcoi idenë e tij për të pasur një shkollë në turqisht në Himarë.
Dhe e ka menduar dhe vendin dhe do ta duan ta bëjnë, ose i ka propozuar zoti Tavo këtij institucionit arsimor turk që të bëjë një shkollë në Vranisht. Kur të gjithë ne e dimë që plaga e të gjithë fshatrave të të Himarës dhe të gjithë Shqipërisë është shpopullimi. Në Vranisht nuk ka më të rinj dhe ata pak që janë, nuk duan të mësojnë turqisht, askush nuk i ka pyetur. Për më tepër që zoti Tavo në atë që ka bërë është në shkelje të ligjit, sepse institucionet arsimore private apo publike nuk i hap kryetari i bashkisë.
Ato bëhen me kërkesë nga Këshilli Bashkiak dhe nga kryetari i Këshillit Bashkiak, drejtuar Ministrisë së Arsimit. Kështu që zoti Tavo është dhe në tejkalim të kompetencave ligjore, po ai nuk ka se si ta dijë se ligji nuk i duhet zotit Tavo, se është mësuar me shefin e vet.
Kjo shoqata turke bamirëse, në thonjëza, është një shoqatë që është krijuar pas grushtit të shtetit në në Stamboll. Është një shoqatë e krijuar nga Erdogani për të hapur islamizmin dhe turqishten në gjithë botën dhe është një karamele që nuk është aq e bukur sa duket, është krejtësisht dhe thellësisht me helm. Sepse është e indoktrinuar dhe do të sjelli në zonë një një realitet që nuk është. Në zonë nuk ka islamist, në zonë nuk ka otoman, në zonë nuk ka turq. Dhe zona nuk do asnjë nga këto. Zona e ka të përcaktuar qartë me mijëra vjet identitetin e vet fetar dhe identitetin e vet kombëtar.
Po dëgjo, neve kemi përveç fjalës dhe mekanizmave ligjor, ata sollën ushtrinë dhe ata e bënë Vangjel Tavon kryebashkiak.
Po ka dhe një gjë të bukur zona në fakt, që po të bëjmë një analizë, kush erdhi dhe ndihmoi zotin Tavo, sot ka përfunduar në burg. Kështu që zoti Tavo, ku vë këmbën ai si turku, nuk mbin më as bari. Erdhi Erjon Veliaj e ndihmoi, punë mbaruari, punë mbaruari, sot po fshin, po fshin dhomën e qelisë. Erdhi punë mbaruarja tjetër, kjo bela e palloshit të gjatë, e dihet në çfarë derexheje është.
Dhe po të kemi një çikë kujtesë, në fakt, në kohën e Covid-it na falën një spital qeveria turke, e mbani mend? Dhe dhurata e spitalit ishte vjedhja e tunelit. Na dhanë një spital dhe na morën 150 milion euro. Ato 150 janë të mia, të tua, të të gjithë njerëzve. Kështu që nuk besoj se janë kaq të thjeshta këto dhurata dhe prisni ç'do na vjedhin ndonjë gjë tjetër, po na falën ndonjë shkollë tjetër. Nuk parabën njeri dhurata, për më tepër që kur bëhen bashkë dy, dy hajdutë...
Dhe kjo histori nuk ka fund. Dhe zoti Tavo, e patë ç'ka bërë pardje apo jo? Se atij nuk i mbarojnë bëmat. Ka bërë analizën e sezonit turistik 2025 dhe thirri për të bërë analizën e sezonit turistik ministrin e bujqësisë. E keni publike në në Facebook-un e tij. Dhe thirri ministrin e bujqësisë për t'u tallur me një Himarë dhe me një Shqipëri të tërë.