Skandali me firmën izraelite, Meçollari: Rama zgjodhi rrugën e korrupsionit, ministri Vëngu po rrezikon Shqipërinë
Një kontratë e lidhur nga qeveria shqiptare me një firmë izraelite po konsiderohet si “maja e ajsbergut” të një afere të madhe korruptive me pasoja potenciale strategjike për vendin. Afera ka vënë në pikëpyetje jo vetëm prokurimet në fushën e mbrojtjes, por edhe kredibilitetin e Shqipërisë si një partnere e besueshme brenda NATO-s, duke rrezikuar drejtpërdrejt mbajtjen e Samitit të Aleancës në Tiranë në vitin 2027.
Në qendër të skandalit, sipas ekspertit të sigurisë Artur Meçollari që ishte i ftuar në emisionin e mëngjesit “Kafe Shqeto” në Syri tv , ndodhet Agjencia e Mbështetjes dhe Prokurimit të NATO-s (NSPA, e përmendur si NSBA), e cila ka pezulluar kontratat me kompaninë izraelite pas nisjes së një hetimi për korrupsion. Paradoksalisht, e njëjta agjenci ishte cilësuar nga qeveria shqiptare si “e besueshme” vite më parë, kur mori përsipër mirëmbajtjen e helikopterëve “Cougar”. Sot, hetimet ndaj saj kanë zbuluar një skemë korrupsioni ku janë përfshirë konsulentë të huaj dhe që ka shkaktuar largimin masiv të stafit, duke lënë dhjetëra vende pune vakante.
Lidhja e kontratës nga qeveria shqiptare me një firmë nën hetim ndërkombëtar ngre pikëpyetje të mëdha mbi përgjegjësinë e kryeministrit dhe zyrtarëve të tjerë, tha Meçollari gjatë bisedës ne studio me moderatorin e emisionit Flavio Qarri.
Nëse firma del fajtore, vendimi për të bashkëpunuar me të kthehet në një dështim të rëndë të gjykimit politik dhe sigurisë kombëtare. Prokurimet ushtarake nuk janë tendera të zakonshëm; ato bazohen në certifikime të rrepta dhe mbi të gjitha, në besueshmëri, një element që në këtë rast duket se është anashkaluar plotësisht.
Pasoja më alarmante e këtij skandali është rrezikimi real i Samitit të NATO-s, parashikuar të mbahet në Shqipëri në vitin 2027. Dhe sipas ekspertit, “humbja e besueshmërisë në Aleancë përkthehet në pasoja konkrete, si kufizimi i shkëmbimit të informacionit inteligjent dhe mbështetje më e vakët në rast kërcënimesh ushtarake”.
E gjithë kjo situatë përkon me shqetësimet e shprehura nga Ambasada e SHBA-së se korrupsioni po pengon investimet amerikane. Në këtë kontekst, bëhet e ditur se gjiganti amerikan i mbrojtjes, “Lockheed Martin”, është nxjerrë jashtë Shqipërisë nga një projekt strategjik për sistemin e vëzhgimit detar dhe ajror. Ky veprim sugjeron një tendencë për të favorizuar kompani me prapavijë të dyshimtë në dëm të partnerëve strategjikë perëndimorë.
Artur Meçollari: Shiko, unë i kam thënë sepse unë kam informacion, natyrisht. Por, historia e e lidhjes së kontratës me firmën izraelite është maja e ajsbergut. Është një pamje, domethënë, e vogël e të gjithë aferës që ndodh. Po pyetja është kështu, po e mbani mend para tre vjetësh kur ne patëm probleme me helikopterët,
Flavio Qarri: Po. Me Kugërët po thoni?
Artur Meçollari: Po, me Kugërët. Ministri Peleshi ia kaloi NSBA-it kontratën e mirëmbajtjes sepse ishte një agjenci e besueshme e NATO-s. Po. Tani që NSB ka pezulluar kontratat me firmën izraelite, nuk është më e besueshme. Po pyetja shtrohet, po në qoftë se nga hetimet del që firma ka bërë korrupsion me NSB, me persona të veçantë në NSB që janë, aty rënd kur gjysma nga puna. Besoj e ke parë... Jo po të hapësh faqen e NSB-it, ke 50-60 vende bosh.
Flavio Qarri: Qenka si ushqimore në Astir.
Artur Meçollari: E domethënë kanë ikur gjysma nga puna, e kupton? Vetëm për këtë korrupsion. Një person nga firma që është një, një është një këshilltar italian, është në hetim. Në qoftë se firma izraelite del fajtore, çfarë do bëjë kryeministri?
Flavio Qarri: Se çfarë përgjegjësie mban për atë kontratë?
Artur Meçollari: Për kontratën që ka lidhur? Humbet besueshmërinë. Kontrata... ti bën një listë kontratë me një firmë e cila është e pabesueshme. Shiko, kontratat të tilla bëhen në kushtet e certifikimit.
Flavio Qarri: E qartë, nuk janë si kontratat e tjera të shërbimeve.
Artur Meçollari: Jo, jo, shiko duhet të kuptojmë, në fushën e mbrojtjes ka dy VKM që e përjashtojnë nga, sistemi i prokurimit normal. Ministria ka dy VKM vetëm për lidhjen e kontratave në fushën e mbrojtjes. Dhe këto kontrata nuk kalojnë, kanë disa kushte të tjera që i bën me thirrje ose me veprime...
Flavio Qarri: Me certifikata sigurie besoj?
Artur Meçollari: Bëhen me certifikata, kompanitë duhet të kenë certifikata, kur bëhet fjalë për, për produkte të caktuara. Pra, nuk është aq e thjeshtë si një kontratë e zakonshme. Është kontratë në kushtet e besueshmërisë. Dhe pyetja shtrohet, nëse kompania del si Charles McGonigal, çfarë ndodh me kontratën?
Flavio Qarri: Digjet, çfarë ndodh?
Artur Meçollari: Jo, digjet. Kontrata ka pasoja. Kontrata ka pasoja. Në fund dhe në qoftë se e prish kontratën, pasojat sepse ai është akt ligjor, domethënë ti do penalizohesh prapë. Prandaj kryeministri kishte kohë të mjaftueshme, ka 40-50 veta që i ka në Bruksel, që merren vetëm me këtë punë, shikojnë çfarë bën NATO-ja, ka nja dy gjeneralë, nja 10 kolonelë, nënkolonelë që vetëm për këtë, pra, kryeministri jo se nuk ka informacion.
Flavio Qarri: Thjesht zgjodhi rrugën e gabuar.
Artur Meçollari: Zgjodhi rrugën e gabuar, zgjodhi rrugën e korrupsionit. Atë që tha ministria, ambasada e Shteteve të Bashkuara, 'Korrupsioni po pengon afrimin e investitorëve amerikanë' dhe prandaj dhe kjo është gjysma e ajsbergut. Ose më mirë, vetëm maja e ajsbergut, sepse ka veprime të tjera që...
Flavio Qarri: Ju thoni që po ndodhin veprime ndërkohë në kohë reale edhe ndaj...
Artur Meçollari: Shiko, unë... Po po, ka dhe veprime të tjera, do t'i shpjegoj. Shiko, unë shikoj një gjë. Ministri Vëngu po rrezikon Shqipërinë.
Flavio Qarri: Nuk po rrezikon? Deklaratë e rëndë kjo.
Artur Meçollari: Po po, po po ta them unë, po rrezikon që në muajin, në vitin 2027, Samiti i NATO-s mos bëhet në Shqipëri.
Flavio Qarri: Që është parashikuar.
Artur Meçollari: Po. Po e rrezikon. Deklarata...
Flavio Qarri: Çfarë do të thotë? Çfarë pasojash sjell mosrealizimi i Samitit të NATO-s në Shqipëri?
Artur Meçollari: Domethënë bëhet për...
Flavio Qarri: Praktikisht ke dalë nga NATO domethënë.
Artur Meçollari: Jo, nuk ke dalë nga NATO, ke humbur besueshmërinë në NATO. Ke humbur besueshmërinë, sepse...
Flavio Qarri: Çfarë do të thotë kjo? Një sekondë. Nëse humb besueshmërinë, çfarë pasojash? Dua të kuptoj pasojat. Pra, nëse ne na sulmojnë sot, parimisht...
Artur Meçollari: Nuk shkëmbehet më informacion. Nuk mbështetet më tek ty NATO-ja për veprimet e saj ushtarake të së nesërmes. Pra, krijohet një lloj hendeku.
Flavio Qarri: Vjen me përtesë nëse ti je në rrezik.
Artur Meçollari: Domethënë ajo është një çështje tjetër që nuk ka, domethënë, vjen, nuk është problem ajo, sepse nuk jemi në atë rrezik që po flasim. Marrëdhëniet rekuperohen shpejt, por duhen disa kushte të rekuperohen. Dhe kur flet ambasada, ki parasysh ambasada ka dhe një emër kompanie. Unë e lexoj me emër, kompania amerikane deklaratën. Bëhet fjalë për kompaninë më të madhe ushtarake në Amerikë, Lockheed Martin.
Flavio Qarri: Rikthehemi pra te çështja e Pashalimanit.
Artur Meçollari: Rikthehemi te sistemi, jo tek sistemi i vëzhgimit detar dhe ajror. Ministri Vëngu ka nxjerrë nga Shqipëria, e ka nxjerrë jashtë, kompaninë Lockheed Martin…