Buxheti 2026: 8.8 miliardë euro në dispozicion, rritet borxhi dhe shpenzimet, arsimi dhe shëndetësia në mëshirë të fatit

Qeveria parashikon një buxhet prej 886.7 miliardë lekësh (8.8 miliardë euro) për vitin 2026, me të ardhura që llogariten të arrijnë në 8.2 miliardë euro.

Borxhi publik do të rritet sërish, duke shkuar në 14.9 miliardë euro, krahasuar me 14.2 miliardë euro këtë vit. Rritja ekonomike është projektuar në 4%, e mbështetur nga turizmi dhe ndërtimi.

Ligji për taksat vendore mori 81 vota pro dhe parashikon përjashtimin e investimeve dhe ndërtimeve publike në arsim, shëndetësi dhe mbrojtje sociale nga taksa e ndikimit në infrastrukturë.

Arsimi zuri vetëm 8% të buxhetit në 2026, me një rënie të lehtë krahasuar me 8.1% në 2025, ndërsa shëndetësia mbetet në nivelin 9.2%.

Sipas të dhënave, mjedisi përfiton vetëm 0.2% të totalit të buxhetit 2026, një peshë shumë simbolike dhe shumë më e ulët se mesatarja europiane, ku fondet për mbrojtjen e mjedisit zakonisht variojnë midis 1.5 dhe 2% të buxheteve totale, dhe në disa vende arrijnë deri në 3%.

Në buxhet parashikohen:

100 milionë euro për bonuset e pensioneve dhe 16.5 milionë euro për indeksim;

Rritja e pagës minimale në 50 mijë lekë;

Indeksim me 2.5% i pagave të administratës publike;

Investime publike prej 1.8 miliardë euro për vitin 2026;

13.5 miliardë lekë për kompensimin e medikamenteve dhe 1.5 miliardë lekë për barnat onkologjike.