Gaza përballet me përmbytje dhe bllokim të planit të paqes

Mbi 800 mijë banorë të Gazës rrezikohen nga përmbytjet, sipas Kombeve të Bashkuara, ndërsa një stuhi e fuqishme dimërore ka goditur rajonin. Shirat e dendur kanë përmbytur kampet e të zhvendosurve dhe kanë shembur disa ndërtesa, duke e përkeqësuar krizën humanitare. Familjet që jetojnë ende në tenda pas luftës presin rindërtimin e shtëpive të tyre.

Dy muaj pas armëpushimit të ndërmjetësuar nga SHBA-të, Gaza mbetet në fazën e parë të planit të paqes të presidentit amerikan Donald Trump. Territori është i ndarë, popullsia e zhvendosur dhe rindërtimi i bllokuar, shkruan BBC. Pengu i fundit izraelit, Ran Gvili, i kapur nga Hamas më 7 tetor, nuk është gjetur ende. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka kushtëzuar hapat e mëtejshëm të marrëveshjes me kthimin e të gjithë pengjeve.

Ekspertë ushtarakë paralajmërojnë se koha po mbaron. Hamasi nuk dëshiron të humbasë kontrollin, ndërsa Izraeli për arsye politike nuk dëshiron të tërhiqet nga Gaza. Çarmatimi i Hamasit shihet si pengesa kryesore për fazën e dytë të marrëveshjes, pasi pa këtë hap asnjë vend i huaj nuk pritet të dërgojë trupa për sigurinë dhe rindërtimi nuk mund të nisë.

Nën presionin e Washington-it, Izraeli ka nisur pastrimin e rrënojave në Rafah për një projekt strehimi të përkohshëm, që mund të strehojë dhjetëra mijëra banorë të Gazës. Por shumë banorë refuzojnë të jetojnë nën kontrollin izraelit, edhe pse duan ndryshim politik.

Nëse faza e dytë e planit dështon, Gaza rrezikon të ndahet edhe më shumë, duke e thelluar krizën humanitare dhe politike në rajon.