Balluku e pezulluar me vendim GJKKO, Gjykata Kushtetuese do të vendosë sot kalimin apo jo për shqyrtim të ankimimit të qeverisë
Gjykata Kushtetuese pritet të vendosë sot nëse do të marrë apo jo në shqyrtim ankimimin e Këshillit të Ministrave kundër masës së sigurisë së vendosur nga GJKKO për pezullimin nga detyra të zëvendëskryeministres Belinda Balluku, e cila është nën hetim nga SPAK për çështje të rënda të korrupsionit në tendera publikë.
Pavarësisht se GJKKO vendosi pezullimin nga detyra, Rama refuzoi ta shkarkojë Ballukun, duke zgjedhur t’i heqë vetëm të drejtën e firmës dhe t’i drejtohet Kushtetueses për ta kundërshtuar vendimin.
Nga ana tjetër, në Gjykatën e Posaçme të Apelit, gjyqtarja Miliana Muça do të shqyrtojë ankimet për masat e sigurisë të vendosura nga GJKKO për Ballukun dhe dy zyrtarët e tjerë të lartë të pushtetit ekzekutiv: drejtorin e KESH-it Erald Elezi dhe drejtorin e ARRSH-së, Gentian Gjyli.
Më 20 nëntor, GJKKO pezulloi nga detyra Ballukun dhe i ndaloi daljen jashtë vendit, duke e marrë si të pandehur për shkelje të rënda proceduriale dhe dyshime për paracaktim fituesish në tenderat e tunelit të Llogorasë dhe lotit 4 të Unazës së Madhe.
SPAK ka konfirmuar se hetimet po zgjerohen dhe për procedura të tjera prokurimi, ndërsa vartësit e Ballukut, Gjyli dhe Elezi, akuzohen për shkelje të barazisë në tendera.