Sulmi në Banjskë dhe shpërthimi në Ibër‑Lepenc, dy raste kyçe për drejtësinë kosovare
Sistemi i drejtësisë në Kosovë po zhvillon dy procese gjyqësore me rëndësi të jashtëzakonshme, të cilat prekin sigurinë, rendin kushtetues dhe stabilitetin e vendit.
Të dyja rastet lidhen me sulme serioze: sulmi terrorist i 24 shtatorit 2023 në Banjskë dhe shpërthimi në kanalin e ujit Ibër‑Lepenc në nëntor 2024.
Këto raste përfaqësojnë momente kritike në trajtimin e krimeve të rënda në Kosovë, për të cilat Qeveria e Kosovës e akuzon shtetin serb.
Më 24 shtator 2023, një grup i armatosur serb sulmoi Policinë e Kosovës në fshatin Banjskë të Zveçanit. Në përleshje u vra rreshteri Afrim Bunjaku, u plagosën dy policë të tjerë dhe u vranë tre sulmues serbë. Për këtë sulm ka marrë përgjegjësinë Milan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe dhe figura kyçe e politikës serbe në Kosovë, i cili ndodhet jashtë vendit.
Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë ndaj 45 personave, përfshirë Radoiçiqin, të akuzuar për terrorizëm dhe veprime që cenojnë rendin kushtetues. Aktualisht në paraburgim ndodhen vetëm tre të dyshuar: Vladimir Toliq, Blagoje Spasojeviq dhe Dushan Maksimoviq, ndërsa pjesa tjetër e të akuzuarve është në arrati dhe ndaj tyre janë lëshuar letrareshtime ndërkombëtare.
Seancat e gjykimit për këtë rast kanë nisur në vitin 2024, por disa prej tyre janë shtyrë për shkak të mosdisponimit të dëshmitarëve anonimë dhe kërkesave të mbrojtjes për dosje fizike të aktakuzës. Avokatët e të akuzuarve kanë kundërshtuar gjykimin në mungesë, ndërsa gjykata ka kërkuar opinion juridik nga Gjykata Supreme për interpretimin e ligjit.
Prokurori special Naim Abazi ka theksuar se të akuzuarit kishin role të ndryshme brenda grupit kriminal, nga organizimi dhe financimi i aktiviteteve terroriste, deri te pastrimi i parave dhe kërcënimi i dëshmitarëve. Sulmi kishte për qëllim shkëputjen e pjesës veriore të Kosovës dhe bashkimin e saj me Serbinë, duke përdorur dhunë të armatosur dhe planifikim të detajuar.
Ky rast ka tërhequr vëmendje ndërkombëtare, duke përfshirë SHBA-në, Britaninë dhe Bashkimin Evropian, që kanë dënuar sulmin dhe kanë kërkuar që përgjegjësit të dalin para drejtësisë. Autoritetet e Kosovës akuzojnë se sulmi është orkestruar nga grupe të armatosura që veprojnë nga Serbia, ndërsa Beogradi ka mohuar përfshirjen e tij, duke e konsideruar rastin si hetim policor dhe jo terrorist.
Shpërthimi në kanalin Ibër‑Lepenc
Më 29 nëntor 2024, tre persona të akuzuar – vëllezërit Dragisha dhe Jovan Viqentijeviq dhe Igor Dimoviq – vendosën rreth 20 kilogramë eksploziv TNT në kanalin Ibër‑Lepenc, që furnizon me ujë të pijshëm qytetarët dhe me ujë për prodhimin e energjisë në KEK. Aktivizimi i shpërthimit shkaktoi dëme serioze të strukturës së betonit të kanalit, ndërpreu furnizimin me ujë dhe kërcënoi prodhimin e energjisë elektrike në nivel vendi. Vlera e dëmit material është vlerësuar në 376,774 euro.
Seanca e shqyrtimit fillestar për këtë rast është caktuar më 24 dhjetor 2025, në ora 09:30, sipas konfirmimit të zëdhënëses së Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.
Prokuroria Speciale i akuzon tre personat për terrorizëm, rrezikim të rendit kushtetues, frikësim të popullsisë dhe dëmtim të infrastrukturës kritike. Sipas aktakuzës, shpërthimi ishte i koordinuar dhe i qëllimshëm, me planifikim paraprak për të shkaktuar ndikim të madh në sigurinë e vendit.