Meta uron 35-vjetorin e PD: Përballë Narkoshtetit dhe McGonigalëve, misioni juaj mbetet shpëtimi i demokracisë

Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, në një postim në rrjetet e tij sociale urori Partinë Demokratike në 35-vjetorin e themelimit duke i shoqëruar urimet me një mesazh të fortë politik.

Meta theksoi rolin historik të PD-së në sjelljen e pluralizmit dhe demokracisë në vend, ndërsa paralajmëroi se kjo forcë politike ka sot përgjegjësi vendimtare përballë asaj që ai e cilëson si përpjekjet kriminale të “Narkoshtetit” dhe “McGonigalëve” për të asgjësuar opozitën dhe pluralizmin politik.

Në urimin e tij, kreu i PL-së vuri në dukje se mbrojtja e lirisë, demokracisë, interesave kombëtare dhe shtetit të së drejtës është sot misioni kryesor i Partisë Demokratike, duke shprehur mirënjohje dhe respekt për liderin historik Prof. Dr. Sali Berisha, si dhe për themeluesit, drejtuesit, anëtarët dhe simpatizantët e kësaj force politike.

Postimi:

Me rastin e 35-vjetorit të themelimit, përcjell urimet më të përzemërta për Partinë Demokratike, forcës së parë që solli pluralizimin politik dhe demokracinë në vend.

Shumë suksese të reja në përmbushjen e përgjegjësive tepër të rëndësishme për të ardhmen e vendit në mbrojtje të vlerave të lirisë, demokracisë, interesave kombëtare dhe shtetit të së drejtës përballë përpjekjeve kriminale të Narkoshtetit dhe MgGonigalëve për ta asgjësuar atë dhe pluralizmin politik.

Një urim të ngrohtë për liderin historik, Prof. Dr. Sali Berisha, për themeluesit, drejtuesit, anëtarët dhe simpatizantët e PD.