'Drejtimi i SPAK nga Dumani, katastrofik', Nesho: U kthye në vegël të Ramës, goditi opozitën dhe mbuloi korrupsionin galopant

I ftuar në emisionin “ÇIM PEKA LIVE”, diplomati Agim Nesho theksoi se mandati i Altin Dumanit në krye të SPAK-ut ka qenë, një katastrofë e mirëorganizuar që e ktheu institucionin në një instrument politik në shërbim të Edi Ramës për sigurimin e mandatit të katërt.

Ai deklaroi se gjatë drejtimit të Dumanit, SPAK  ka ndjekur ekuilibra të shtirur duke kanalizuar peshën e hetimeve pothuaj ekskluzivisht drejt opozitës, ndërsa korrupsioni galopant qeveritar është lënë i paprekur. Nesho përmendi goditjen e liderit të opozitës, arrestimin skandaloz të një profesori të nderuar për shou mediatik, mosreagimin ndaj farsës të zgjedhjeve të 11 majit, si dhe faktin që çështjet ndaj Erion Veliajt u hapën vetëm pas presionit të opinionit publik dhe skandalit të “5D”-ve.

Ai shtoi se, Rama ka tentuar të mbyllë çdo kapitull duke “shitur” bashkëpunëtorët e tij si Veliajn e Ballukun, ndërsa theksoi se asnjë aferë e madhe, nga inceneratorët te koncesionet strategjike nuk mund të ndodhnin pa dijeninë e kryeministrit.

Diplomati vuri në qendër nevojën që drejtuesi i ri i SPAK-ut të rikthejë ekuilibrin institucional dhe të çlirojë strukturën nga përdorimi politik, pasi deri tani, SPAK ka qenë i shantazhuar, i kontrolluar dhe i përdorur si vegël për eliminim politik. Nesho shtoi se edhe perceptimi ndërkombëtar ka ndryshuar, duke theksuar se SHBA, e sheh Shqipërinë si jashtëzakonisht të korruptuar dhe i kanë kërkuar qartësisht SPAK-ut të mos përdoret më kundër opozitës.

Fjala e tij:

Në radhë të parë, unë jam plotësisht dakord, sepse në një tryezë gazetarët analizojnë të mirat dhe të këqijat, dhe jemi në të drejtën tonë t’i shohim nga të gjitha këndvështrimet. Unë, në radhë të parë, i uroj sukses. Dua të mos jetë në linjat e atyre të parëve. Dumani ka qenë një katastrofë. Nuk duhet të biem në nivelin e kënaqësisë popullore. Katastrofë ka qenë, për arsye se është marrë më shumë me opozitën, është dirigjuar në një lojë duke e përzgjedhur atë. Në shumë raste duhet të kemi parasysh që SPAK-u deri tani dhe këtë ia uroj këtij prokurori është marrë një shans për të treguar jo vetëm veten e tij, por edhe përgjegjësinë që ka ndaj kushtetutës dhe popullit shqiptar, i cili pret vërtet që të luftohet korrupsioni.

Në fakt, deri tani korrupsioni ka qenë skandaloz, galopant në të gjitha fushat, dhe SPAK-u ka vepruar me ato ekuilibra të sforcuar, për arsye se gjithë pesha specifike ka kaluar në goditjen e opozitës, për t’i dhënë mundësi regjimit të Edi Ramës, ashtu siç ka arritur deri tani, të marrë mandatin e katërt. Dhe duhet ta shikojmë që Dumani, përveçse e filloi në mënyrë të gabuar, duke goditur ndoshta liderin e opozitës në një mënyrë të padrejtë, arrestuar një profesor të nderuar në mënyrë skandaloze për të bërë një shou të madh dhe pastaj, pasi “pastroi” opozitën për t’i dhënë pushtetin, arriti që edhe për zgjedhjet e 11 majit, që janë një farsë dhe të manipuluara, nuk dha asnjë konkluzion.

SPAK-u është përpjekur të bëjë detyrën e vet, edhe nga presioni, sepse rastet kanë qenë skandaloze. Këtu është vjedhur gjithë pasuria e popullit shqiptar. Nëse ai ka marrë një veprim ndaj Erion Veliajt si kryetar bashkie, e ka marrë për dy arsye: sepse opinioni publik ishte i bindur për këtë gjë; së dyti, ishte katastrofë me 5D-të dhe mënyrën se si vidhnin paratë dhe taksat e këtij populli të thjeshtë; dhe së treti dhe më kryesorja, Rama kërkon të mbyllë çdo kapitull. Ashtu siç e bëri me Erion Velinë, të cilin e ka “shitur”, ashtu siç po bën me Belinda Ballukun, sepse kërkon që, sa të jetë vetë në pushtet, duke qenë se është kreu siç thotë Arben Ahmetaj i organizatës kriminale çdo çështje që është diskutuar, t’i vërë një kapak.

Në këtë rast, mendimi im është se SPAK-u nuk ka qenë denoncues i njeriut që është evidentuar si kreu i gjithë kësaj. Ne e kuptojmë mekanizmin e shtetit, sepse këtu asnjë mizë nuk lëviz nëse kryeministri nuk është në dijeni, qoftë për inceneratorët, qoftë për portin e Durrësit, aeroportin e Vlorës, apo për tunelin, ku ka qenë edhe prezent, e të tjera. Kjo është më se e ditur. Prandaj, nëse ky dëshiron të bëjë një dallim dhe unë ia uroj duhet të bëjë ndryshimin. Ky nuk duhet të krahasohet më me Dumanin. E para.

Së dyti, duhet të rregullojë disa procese për të rikthyer ekuilibrin në SPAK. Procese të cilat janë të gabuara. Ashtu siç tha zonja e nderuar, duhet ta kthejë në ekuilibër SPAK-un, sepse sigurisht nuk ka qenë në ekuilibër deri tani; ka qenë i shantazhuar, në shumë raste i përdorur. Dhe ne nuk duhet të kemi iluzione: nëse zotëria që mori vetëbesimin do të vazhdojë në këtë rrugë, ku SPAK-u deri tani ka qenë një institucion që është përdorur si vegël për të luftuar kundërshtarët politikë dhe për t’i dhënë mundësi “njëshit” sepse ai është i vetëm dhe bashkëpunëtorët e tjerë, nëse kapen dhe futen në burg, i zëvendëson për të vazhduar një mandat të pakufizuar, deri ku e çon.

Unë dua të them edhe një gjë tjetër: me shumë të drejtë u diskutua nga këndvështrime të ndryshme se në Amerikë ka ndryshuar ajo ideja për Shqipërinë. Deri tani korrupsioni dhe blerja e influencës nga zoti Rama dhe regjimi i tij e kanë ndryshuar plotësisht perceptimin. Shqipëria shihet si një vend tepër i korruptuar, por nga ana tjetër duhet të themi se ky ka një sfidë të madhe, kryetari i SPAK-ut, sepse kemi të bëjmë me një njeri që ndihet agresiv në pushtetin e tij; në fund të fundit, nëse lë pushtetin, dihet se ku shkon, sepse ka bërë aq shumë dëme, jo vetëm ekonomike, por edhe këtij populli, duke i mohuar të drejtat dhe duke bërë makinacione të ndryshme për t’u futur dhe integruar në Bashkimin Evropian. Sepse ajo është retorikë që përdor, por në realitet nuk plotësohen as kriteret e Kopenhagenit; dhe kjo është arsyeja pse Shqipëria nuk futet, siç e sheh ai vetë, në një “narkoshtet”.

Duke përfunduar, dua të them vetëm diçka: Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë ndryshuar dhe e kanë kuptuar shumë mirë se çfarë është. Amerikanët kanë vendosur diçka sipas dijenisë sime nga takimet me diplomatët dhe gazetarët. Edhe në takimin me Dumanin e të tjerë, i kanë thënë: “Hiqe SPAK-un si armë politike kundër opozitës. Lufto korrupsionin dhe krimin e organizuar, këto janë dy prioritetet.” Ky është shansi.