AZ Alkmaar ‘fik’ Dritën në ‘Fadil Vokrri’, ‘Intelektualët’ bien në zonën playoff

Drita e Gjilanit nuk arriti të ndalte fuqinë e AZ Alkmaar-it në “Fadil Vokrri”, teksa u mposht 3-0 në një ndeshje ku cilësia dhe efikasiteti i ekipit holandez bënë diferencën. Pavarësisht përpjekjeve dhe disa momenteve premtuese, “Intelektualët” nuk mundën të shmangnin një humbje që i zbret tashmë në zonën playoff.

Avantazhi i Alkmaar-it u hap herët, në minutën e 17-të, kur Isak Jensen lexoi në mënyrë perfekte lëvizjen e Sven Mijnans në zonë. Sulmuesi holandez, i qetë dhe i saktë, mposhti Faton Malokun me një goditje të ulët drejt këndit të majtë, duke e bërë 0-1. Drita tentoi të reagonte dhe pati pretendime për një penallti, por pas verifikimit me VAR vendimi mbeti “jo penallti”, duke shtuar zhgënjimin e vendasve.

Pjesa e dytë nisi sërish me goditje për Dritën. Në minutën e 58-të, Kees Smit shërbeu në kufijtë e zonës për Isak Jensen, i cili diesmal shënoi vetë me një predhë të pakapshme drejt këndit të majtë të poshtëm, duke dyfishuar shifrat në 0-2 dhe duke vënë ndeshjen nën kontroll të plotë të holandezëve.

Goditja e fundit erdhi në minutën e 90-të. Mees de Wit harkoi në zonë një top të gjatë dhe Ibrahim Sadiq fluturoi mbi mbrojtjen gjilanase, duke dërguar topin me kokë në cepin e poshtëm të majtë për 0-3, rezultat që vulosi dominimin total të AZ Alkmaar-it.