SYRI TV/ Lirohet nga burgu ish ministri Lefter Koka, GJKKO i shuan masën për inceneratorin e Fierit
Lirohet nga qelia ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka. GJKKO pranoi kërkesën e tij për shuarjen e masës “arrest me burg” për inceneratorin e Fierit, për të cilin i ka mbaruar afati i paraburgimit prej tre vjetësh. Ai ka qëndruar katër vite në qeli për aferën me tre inceneratorët.
Ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, i arrestuar për aferën e inceneratorëve, është liruar pas katër vitesh qëndrimi në burg. Vendimi është marrë pasi GJKKO ka shuar masën e sigurisë “arrest me burg” në çështjen që lidhet me inceneratorin e Fierit. Sipas vendimit, masa e sigurisë për këtë dosje nuk qëndron më, ndërsa çështja për inceneratorin e Fierit është kthyer për rigjykim në Apel nga Gjykata e Lartë.
Në lidhje me dënimin për inceneratorin e Elbasanit, Koka ka fituar lirinë me kusht nga Gjykata e Durrësit. Ndërkohë, për çështjen e inceneratorit të Tiranës, ai e ka shlyer dënimin me kohën e qëndrimit në paraburgim. Të tre dosjet penale ku Koka ishte i përfshirë – inceneratori i Elbasanit, Tiranës dhe Fierit – nuk paraqesin më masa sigurie në fuqi.
Sa i përket vendimit, GJKKO argumenton se është konstatuar humbja e fuqisë së paraburgimit, të masës së sigurimit “arrest në burg”, ndaj ish-ministrit Koka. Në vendimin e gjyqtarit theksohet se kohëzgjatja e përgjithshme e paraburgimit për Lefter Kokën ka kaluar mbi tre vjet.
“Urdhërohet lirimi i menjëhershëm i kërkuesit Lefter H. Koka nga ambjentet e paraburgimit, përveçse nëse ndaj këtij shtetasi ka ndonjë masë tjetër sigurimi personal me karakter shtrëngues, të parashikuar nga nenet 238 të K.Pr. Penale, urdhër ndalimi apo dënim tjetër penal me burgim të formës së prerë, të pavuajtuar.”
Lefter Koka u arrestua në dhjetor 2021, i akuzuar për shpërdorim detyre, korrupsion dhe pastrim parash lidhur me aferat korruptive për inceneratorin e Fierit. Sipas akuzave të SPAK, për inceneratorin e Fierit u paguan 4 milionë euro për punë që nuk u kryen asnjëherë, ndërsa 60 milionë lekë është dëmi i shkaktuar në buxhetin e shtetit në skemën e mashtrimit.