SYRI TV/ Avokati i popullit, debate të ashpra në Kuvend, opozita akuza mazhorancës për proces farsë

Partia Socialiste ka përdorur forcën e kartonit për të emëruar në mënyrë të njëanshme një Avokat të Popullit sipas linjës së saj, duke kapur kështu edhe këtë institucion. Mazhoranca ka refuzuar kandidaturat e mbështetura nga Partia Demokratike, duke i hapur rrugë procesit për të votuar në këtë institucion një figurë të mbështetur prej tyre. Opozita kërkoi që në seancë për votim të kalonin dy kandidatura të mbështetura prej saj, por mazhoranca i refuzoi, duke mbajtur si kandidat edhe Endri Shabanin, një politikan që nuk ka fshehur asnjëherë qëndrimin dhe sulmet ndaj opozitës shqiptare.

Zgjedhja e Avokatit të Popullit nxiti tensione dhe debate të ashpra mes mazhorancës dhe opozitës në Kuvend. Që në nisje të seancës, PD njoftoi se kishte tërhequr firmat për të 26 kandidatët më garë, duke bërë të qartë se kandidaturat e mbështetura prej saj janë vetëm dy: Besim Ndregjoni dhe Adriana Kalaja.

Lideri i opozitës, Sali Berisha, akuzoi mazhorancën për një proces farsë dhe se po shkel vendimmarrjen e saj në Komisionin e Ligjeve, vetëm për të grabitur Avokatin e Popullit përmes një skenari të mirëpërcaktuar. Berisha tha se opozita nuk do të japë asnjë firmë për Endri Shabanin, që sipas tij, përfaqëson interesat që i shërbejnë vetëm Edi Ramës.

Megjithatë, mazhoranca këmbëngul të shkojë deri në fund me skenarin për të zgjedhur Avokatin e Popullit nga lista me 26 kandidatë, ku figuron edhe Endri Shabani, duke refuzuar kërkesën e PD për të votuar vetëm dy kandidatët e saj në seancë.

Refuzimi i mazhorancës nxiti debate dhe përplasje të forta në seancë, duke sjellë ndërprerjen e saj dy herë. Me fuqinë e kartonit, mazhoranca refuzoi kërkesën e PD-së për të shtyrë votimin, duke shkuar deri në fund me vendimin për të emëruar në mënyrë të njëanshme Avokatin e Popullit.

PD e sheh këmbënguljen e mazhorancës si një tentativë për të kapur një institucion të pavarur, ndërsa ka informuar edhe institucionet ndërkombëtare dhe selitë diplomatike për atë që e cilëson si një proces farsë e antiligjor, që shkon përtej traditës shumëvjeçare parlamentare për zgjedhjen e Avokatit të Popullit.