SYRI TV/ Paqja fiskale - Dhoma Amerikane e Tregtisë ngre alarmin: Hapësirë për legalizimin e parave të pista

Dhoma Amerikane e Tregtisë ka kundërshtuar fort patenët e re fiskale dhe “paqen fiskale” të cilën mazhoranca socialiste pritet ta votojë në Kuvend me kërkesë të qeverisë së Edi Ramës. Në një deklaratë për mediat, përfaqësuesit e bizneseve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës e cilësojnë “paqen fiskale” si goditje të konkurencës dhe hapësirë për legalizimin e parave me origjinë të dyshimtë e pastrim parash. Dhoma Amerikane e Tregëtisë kërkon nga qeveria dhe deputetët socialist që të tërhiqen nga kjo amnisti, që më herët është kundërshtuar edhe nga Bashkimi Europian.

Dhoma Amerikane e Tregtisë, organizata që përfaqëson interesat e komunitetit të investitorëve amerikanë dhe shqiptarë, ka dalë me një deklaratë të fortë kundër projektligjit “Për Marrëveshjen e Paqes Fiskale” ndërkohë që ky projektligj do të diskutohet këtë të enjtë në Kuvend.

Sipas Dhomës Amerikane kjo iniciativcë I hap rrugë legjitimimit të pastrimit të parave e cila është evidentuar në deklaratë si Mundësi reale për legalizimin e kapitalit me origjinë të dyshimtë dhe pastrim parash;

Sipas vlerësimit professional të Dhomës Amerikane të Tregtisë në Projektligj, evidentohen një sërë problematikash me ndikim të gjerë juridik, ekonomik dhe të qeverisjes fiskale, që lidhen me faktorë të tillë si rrezik i lartë për cënimin e konkurrencës së ndershme; Ulje të cilësisë së administrimit tatimor; Pasoja serioze ekonomike dhe fiskale në buxhetin e shtetit dhe nxitje të skemave të zhvendosjes së bizneseve drejt normave më të ulëta.

Dhoma Amerikane e Tregtisë thotë gjithashtu se drafti ka probleme ligjore dhe cenim të parimeve themelore të taksimit si dhe ka pasur mungesë transparence si dhe konsultim publik të pamjaftueshëm.

Më herët, edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar u shpreh kundër kësaj nisme. Shefja e misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar Anke Weber u shpreh së fundmi se “kemi shqetësimin se disa prej elementeve të propozimit mund të minojnë progresin e fundit të Shqipërisë në administrimin e tatimeve dhe të krijojnë disa rreziqe për drejtësinë fiskale”.